Berisha rrit shpenzimet, ulen të Topit dhe Topallit
Kabineti i Kryeministrit Berisha ka përfituar rritje të fondeve për shpenzime, të cilat do të përdoren për vitin 2009. Buxheti i stafit të Kryeministrit parashikohet të jetë 4 milionë dollarë, rreth 500 mijë më shumë se viti 2008. Kryeministri, sikundër ia lejon ligji për buxhetin, ka të drejtën absolute të përdorë edhe rreth 21 milionë dollarë rezervë nga arka e shtetit për raste të paparashikuara. Ndryshe ka ndodhur me dy institucionet e larta si Presidenca apo Kuvendi. Presidenti Bamir Topi do të ketë nën mbikëqyrje rreth 2 milionë dollarë, rreth 1.6 milionë dollarë më pak se 2008. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të ketë në buxhetin e 2009-ës rreth 10 milionë dollarë, nga 11 milionë që kishte në 2008-ën. Rritje të buxhetit kanë përfituar Prokuroria e Përgjithshme me 13 milionë dollarë nga 11 milionë që kishte në 2008-ën, kurse Shërbimi Informativ i Shtetit do të ketë në dispozicion rreth 13 milionë dollarë, aq sa organi i akuzës, por me një rritje tepër modeste. Gjatë periudhës janar-shtator 2008, Këshilli i Ministrave ka përdorur 1.9 miliardë lekë të fondit rezervë nga 2.4 miliardë lekë të parashikuara për të gjithë vitin. Qeveria, një pjesë të fondit, rreth 1 miliard lekë, i ka përdorur për përballimin e tragjedisë së Gërdecit. Në total, shpenzimet për personelin prekin vlerën e rreth 800 milionë dollarëve ose 3.1 për qind më shumë se buxheti suplementar 2008, kurse rreth 33 milionë dollarë janë rezervë për ruajtjen e deficitit buxhetor, për raste të tejkalimit të shpenzimeve.