E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat dhe pensionet, rritja 10 deri në 20%

Gjithsej 87 milionë dollarë ka planifikuar Ministria e Financave për të përballuar efektet financiare të rritjes së pagave dhe pensioneve, në masën nga 10 për qind deri në 20 për qind. Konkretisht, rritja e pagave për mësuesit e sistemit të arsimit parauniversitar do të jetë me 14 për qind, duke synuar dyfishimin e tyre, si dhe rritje të diferencës me pagat e punonjësve të sistemit të arsimit universitar. Për këtë qëllim, fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të rritet me 10.9 për qind për vitin 2009. Për sektorin e shëndetësisë, pagat parashikohen të rriten me 12.3 për qind, e si rrjedhojë fondi i pagave për Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale do të jetë me 2.6 për qind. Të gjitha këto janë parashikime të hedhura në draftin e projektbuxhetit 2009, i cili pritet të miratohet këtë të mërkurë në Këshillin e Ministrave. Për pensionet do të ndiqet e njëjta politikë si ajo e vitit 2008. Kështu, Ministria e Financave planifikon që, duke nisur nga 1 maji 2009, pensionet e qytetit të pësojnë rritje me 10 për qind, ndërsa pensionet e fshatit me 20 për qind. Rrija nga 1 maji nis edhe për pagat e buxhetorëve. Qeveria mendon se rritje të pagës do të pësojë edhe sektori privat, në masën mesatare prej 6 përqindësh. Të ardhurat nga kontributet parashikohen të jenë rreth 600 milionë dollarë, ku ndikimin më të madh do ta japin sigurimet shoqërore, me rreth 520 milionë dollarë. Po ashtu, si rezultat i përdorimit të metodikës së re, pra aplikimit të referencave për numrin e punonjësve në biznesin e vogël, parashikohet të rritet me 45 mijë numri i deklaruesve pranë ISSH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›