E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, qeveria, optimiste për 2011-n



Qeveria e Maqedonisë është optimiste sa i përket zhvillimit të ekonomisë në vitin 2011. Zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike, Vladimir Pesevski, pret që parashikimi për një rritje prej 3.5% të tejkalohet. Në vitin 2010, pritshmëria për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 2% është ende një sfidë, sipas tij, duke shprehur shpresat se rritja do të jetë midis 1 dhe 2 përqindëshit.
“Vitin e kaluar, ekonomia e Maqedonisë filloi rimëkëmbjen. Ne do të kemi një vit me rritje pozitive ekonomike, për shkak se ecuria e tremujorit të fundit tregon një sinjal pozitiv. Pritshmëritë për vitin 2011 janë edhe më të larta, dhe parashikimet janë për një rritje prej 3.5% dhe një deficiti buxhetor prej 2.5%. Personalisht do të thosha se kjo do të tejkalohet”, tha zëvendëskryeministri Pesevski në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, për vitin që sapo lamë pas do të ishte një sfidë të arrihej një normë rritjeje prej 2%. “Pres që rritja të jetë midis 1 dhe 2%”, tha Pesevski.
Ai tha se kishte tregues se tremujori i fundit kishte qenë shumë i fortë, ndoshta më i mirë nga të gjithë tremujorët e vitit 2010, çka e përforcon rimëkëmbjen ekonomike.
Zëvendëskryeministri Pesevski bëri të ditur se në vitin 2011 pritet një fluks më i madh i Investimeve të Huaja Direkte. "Bisedimet me disa kompani janë në fazën e tyre përfundimtare dhe do të njoftohen kur të jetë i disponueshëm më shumë informacion konkret", theksoi ai.

Serbia, rimëkëmbja e ngadaltë, por e qëndrueshme
Ekonomia serbe, e udhëhequr nga eksportet, ka rihapur ritmet e rritjes, por inflacioni i rritur dhe financimi i huaj kërcënojnë stabilitetin makroekonomik, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Në raportin e fundit të marrëveshjes në dispozicion me Serbinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se vendi po rimëkëmbej me një ritëm të ngadaltë, por të qëndrueshëm, kur krahasohet me vendet e tjera të rajonit.
Sfida kryesore mbetet ulja e inflacionit, që e ka tejkaluar nivelin limit, për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe dobësimit të dollarit.
Qeveria serbe planifikon të përdorë pjesë të parave që do të marrë nga shitja e “Telekom Srbija”, për të financuar deficitin e buxhetit dhe ky është konsideruar si një veprim i matur nga fondi.
Për më tepër, do të shtohen përpjekjet për të arritur objektivat e buxhetit 2011. Objektivi i deficitit prej 4% të PBB-së është në linjë me rregullat e reja të balancës fiskale, thekson raporti.
Sipas FMN-së, sektori bankar në Serbi është i qëndrueshëm, likuid dhe është në gjendje të përballojë rreziqet e kredisë që shkaktohen nga kompanitë që nuk kanë pasur ecuri të mirë të biznesit.

Kroaci, rritja 2%
Revista britanike “The Economist” ka parashikuar rritje prej 2% të ekonomisë kroate gjatë këtij viti që do të shoqërohet njëkohësisht me rënie të papunësisë dhe rritje në paga.
Publikimi i “The Economist”, "Bota në 2011", parashikon një angazhim më të madh të partisë së shumicës Unioni Demokratik Kroat (HDZ) sa i përket rimëkëmbjes së vendit, negociatave me Bashkimin Europian dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Ata e vënë theksin në çështjen e kantiereve detare kroate, që duhet të privatizohen përpara se të përfundojnë negociatat me Bashkimin Europian. Teksa Kroacia i afrohet anëtarësimit, BE ka kërkuar që qeveria kroate të ndalojë subvencionimet për industrinë e sëmurë të kantiereve detare, duke i hapur rrugë privatizimeve.
Raporti i “Economist” beson se hyrja në BE është e mundur në vitin 2012, nëse do të realizohet kushti që privatizimet të realizohen në fund të vitit.
MBARON SHKRIMI

Rumani
Synohet më shumë kredi nga FMN
Teksa fondi po lëvron një pagesë të re nga paketa shpëtuese për Rumaninë, Bukureshti po synon për një tjetër marrëveshje.
Rumania mori pagesën e radhës në fillim të javës së kaluar, prej 904 milionë eurosh, pagesa e shtatë nga paketa e ndihmës prej 20 miliardë eurosh, që udhëhiqet nga FMN.
FMN ka vetëm fjalë të mira për angazhimin e Rumanisë për zbatimin e masave të rrepta buxhetore. “Zbatimi i politikave në bazë të marrëveshjes, mbetet i fortë”, tha John Lipsky, zv/drejtori menaxhues i FMN-së, pas një takimi të FMN-së për të miratuar disbursimin.
“Rumania është tashmë në një rrugë të qartë për të përmbushur objektivat afatshkurtër dhe afatmesëm fiskale”, shtoi ai. “Sfida aktuale është të zbatohen tërësisht reformat e miratuara dhe të mbahet kontroll i rreptë mbi shpenzimet për të siguruar që parametrat e buxhetit të jenë nën kontroll”.
Bukureshti, i cili bazohet për rimëkëmbjen e tij në një paketë shpëtuese të kryesuar nga FMN-ja, kaloi në dhjetor një projektbuxhet për vitin 2011, që synon një deficit buxhetor prej 4.4% të PBB-së dhe po ashtu një ligj kyç për pagat, në mënyrë që të kualifikohej për marrjen e pagesës së radhës.
Më parë, në korrik, si pjesë e një pakete ndihme, qeveria reduktoi pagën e punonjësve civilë me 25%, ndërsa mijëra vende pune në shtet u shkurtuan dhe TVSH u rrit me 5 pikë përqindjeje, në 24%.
Ndërsa shtete të tjera europiane po përpiqen të gjejnë burime alternative që të mbulojnë deficitet e tyre, Rumania po mbështetet në mënyrë ekskluzive në ndihmën e FMN-së.
Bukureshti ka vendosur tashmë të nënshkruajë një marrëveshje të re paraprake me huadhënësin me bazë në Uashington, pasi marrëveshja aktuale në dispozicion përfundon në prill. Raportet thonë se marrëveshja e re ka një vlerë prej 3.6 miliardë eurosh dhe paratë do të përdoren vetëm për situata emergjente.
Jo të gjithë janë të kënaqur me marrëveshjet ekskluzive me FMN-në. "Rumania duhet të konsiderojë një hua nga Kina, me paratë që duhen përdorur për projekte infrastrukture, jo vetëm për mbulimin e deficitit", ka pohuar kohët e fundit Sebastian Vladescu, një ish-ministër Ekonomie.
Por Presidenti Traian Basescu është i vendosur. “Ne duhet të vazhdojmë marrëveshjen me FMN-në pa asnjë diskutim”, ka pohuar ai. “Sugjeroj që të mos biem në kurthin e pasjes së një marrëveshjeje me Kinën”.
Kina është tashmë në bisedime me Hungarinë, Spanjën dhe shtete të tjera europiane që të blejnë borxhin e tyre qeveritar, teksa ata po punojnë që të mos detyrohen të marrin hua emergjente nga FMN.

Serbi
Suficit tregtar me vendet e rajonit
Serbia arriti një suficit tregtar prej 1.24 miliardë dollarësh për periudhën janar-nëntor 2010 në aktivitetin tregtar me vendet e Europës Qendrore, me të cilat ka një marrëveshje të Tregtisë së Lirë (CEFTA).
Suficiti erdhi kryesisht nga eksportimi i produkteve bujqësore në vend, sipas të dhënave nga Zyra Serbe e Statistikave.
Gjatë 11 muajve, eksportet kryesore të Serbisë drejt vendeve të CEFTA-s ishin drithëra dhe produktet e lidhura me drithërat, pije të ndryshme dhe hekur e çelik, ndërsa vendi importoi kryesisht energji, hekur dhe çelik, si dhe fruta e zarzavate.
Gjatë kësaj periudhe, eksportet e Serbisë arritën 2.55 miliardë dollarë dhe importet arritën një total prej 1.31 miliardë dollarësh, duke bërë që norma e eksport-importeve të arrinte në 194.8%.
CEFTA është një marrëveshje e tregtisë së lirë e nënshkruar nga Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Moldavia dhe UNMIK në emër të Kosovës.

Bullgari
Ndërtimi tregon shenja përmirësimi
Sektori i ndërtimit në Bullgari duket se po tregon shenja rimëkëmbjeje pas një rënieje, duke shënuar rritje prej 2.6% në nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave, ndërtimi i pasurive të paluajtshme në nëntor 2010 u rrit me 0.8% në krahasim me nëntorin 2009. Me bazë mujore, ndërtimi u rrit me 1.1%, ndërsa ndërtimi i infrastrukturës u rrit me 2% në krahasim me tetorin 2010.
Me bazë vjetore, në tërësi, sektori i ndërtimit të pasurive të paluajtshme u rrit me 8.9%, ndërsa projektet e infrastrukturës u zgjeruan me 13.2%, tha raporti.

Rumani
Banka Qendrore mban normën e interesit në 6.25%
Banka Qendrore Rumune, BNR, ka vendosur të mbajë normën e interesit në 6.25%, në mbledhjen e parë të politikës monetare për këtë vit.
BNR e uli normën e interesit në 6.25% nga 6.5% në maj të vitit të kaluar.
Në dhjetor 2009, norma bazë e politikës monetare ishte 8% dhe u ul gradualisht gjatë 2010-s. BNR ka vendosur gjithashtu të mbajë normën minimum të rezervave për pasivet në lei dhe në monedhë të huaj në të njëjtin nivel.

24 Janar 2011

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›