E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Faleminderit shqiptarëve që na kanë bërë pjesë të tyre

03-10-2011 / Gazeta 55

Ambasada amerikane kremton 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë me një takim masiv, që është shndërruar në një manifestim të miqësisë së thellë mes dy popujve


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri çeli dje paradite aktivitetet festive për 20-vjetorin e rihapjes së selisë së saj diplomatike në Tiranë. Në fjalën përshëndetëse që mbajti në ceremoninë festive të organizuar në rrugën pedonale pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu falenderoi shqiptarët, që siç tha ai, na kanë bërë pjesë të tyren. “20 vite më parë u shënua një risi për këtë vend. 20 vite më parë u shënua një nisje e re për SHBA-në në Tiranë. Në këto 20 vite ju na keni sjellë në zemrat tuaja, në shtëpitë dhe zyrat tuaja, dhe na keni lejuar që të bëhemi pjesë e arritjeve tuaja të mrekullueshme të këtyre 20 viteve. Na keni lejuar që të bëhemi pjesë e juaja, e së shkuarës, e së tashmes dhe e së ardhmes, ndërsa ju punoni për të krijuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”- shpreh ambasadori Arvizu. Ai falenderoi Bashkinë e Tiranës, Policinë e Shtetit dhe mediat për mbështetjen që i kanë dhënë këtij aktiviteti. “Festojmë 20 vite miqësi të rilidhur mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Shqipërisë”, është lajtmotivi i aktiviteteve festive që ambasada amerikane në Tiranë nisi dje paradite dhe që do të vazhdojnë për 5 ditë me radhë. Larg aktiviteteve protokollare, ambasada amerikane ka menduar një festë ndryshe në këtë përvjetor, një festë që përgjatë gjithë ditës do të shoqërohet me panairin e rrugës, koncerte nga grupe të njohura shqiptare, ekspozita për fëmijë dhe të rritur, ekspozita dhe stenda informative mbi jetën amerikane, karaoke, etj. Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë u rivendosën në 15 mars të vitit 1991, pas një shkëputje prej 52 vitesh. Pas disa muaj, në 1 tetor, do të rihapej dhe ambasada amerikane në Tiranë. “Marrëdhëniet mes vendeve tona e kanë fillimin në vitet e para të shekullit të XX, kur Presidenti Uillson zgjeroi mbështetjen amerikane për shtetin e ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua asnjëherë nga disa mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët mbajtën lidhjet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruante në 15 mars të vitit 1991, Raymond G.H. Setiz, zv/sekretari për marrëdhëniet Evropiane dhe Kanadeze.


Lulzim Basha: Nuk mund të kërkonim mik më të mirë se SHBA


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e vlerësoi një ngjarje me rëndësi kombëtare rihapjen 20 vjet më parë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Gjatë ceremonisë festive organizuar nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, kryebashkiaku Basha theksoi se për qytetarët e Tiranës dhe për shqiptarët anembanë, rihapja 20 vite më parë e ambasadës amerikane përbën një ngjarje të madhe me rëndësi kombëtare. “Për ne qytetarët e Tiranës dhe për shqiptarët anembanë, rihapja 20 vite më parë e Ambasadës Amerikane në Tiranë përbën një ngjarje të shënuar me rëndësi kombëtare, dhe po kështu kremtimi sot i miqësisë dhe partneriteti që kemi ndarë së bashku këto 20 vite kanë një domethënie të madhe. 20 vite më parë mbi 300 mijë shqiptarë u derdhën rrugëve të Tiranës për të përshendetur James Baker dhe për të dëgjuar fjalën e tij në Tiranë. Ata erdhen nga çdo cep i vendit për të dëgjuar mesazhin që Sekretari i Shtetit dha dhe mesazhi i tij ishte i thjeshtë dhe i qartë “Liria jep rezultat”. Ky mesazh nuk erdhi si surprizë, as për mua as për bashkëqytetarët e mi, sepse për ne Amerika ka qenë, është e dhe do të mbetet më shumë se një vend, më shumë se një komb, është një ide e madhe; ideja se liria është e mundur, se njerëzit janë krijuar për të qenë të lirë dhe se vetëm në liri njeriu mund të realizojë potencialin e tij të plotë. Ideja e madhe se demokracia jep rezultat dhe se zëri i qytetarëve duhet të jetë pjesë e çdo qeverisje të mirë”- u shpreh Basha. Ai theksoi se në këto 20 vjet partneritet dhe miqësi, ne kemi shumë arsye për të shprehur mirënjohjen tonë për SHBA, për rolin vendimtar që SHBA kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme dhe vendimmarrëse të SHBA në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO dhe më lejoni këtu të kujtojmë së bashku qindra djem shqiptarë që shërbejnë krah për krah bijëve amerikanë në mbrojtje të lirisë anembanë rruzullit. “Gjatë këtyre 20 viteve SHBA kanë investuar mbi 700 milionë dollarë në zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. Pak kohe pas vizitës së Sekretarit Bejker, Shqipëria dhe SHBA finalizuan marrëdhëniet e reja diplomatike me rihapjen e ambasadës së SHBA këtu në Tiranë. Miqësia dhe partneriteti ynë 20 vjeçar na bëjnë krenarë. Flas, besoj edhe në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të Tiranës dhe anembanë Shqipërisë kur them se ne nuk mund të kërkonim një mik më të mirë se SHBA dhe si kryetar i Bashkisë, do të bëj gjithçka në pushtetin tim që kjo miqësi të vazhdojë të rritet dhe të konsolidohet”- theksoi më tej kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në mars të 1991, ndërsa ambasada ka nisur punën në 2 tetor.


20 vjet marrëdhënie diplomatike dhe 89 vjet miqësi SHBA-Shqipëri


Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Amerikës e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte ri-konfirmuar pavarësinë. Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson vuri në konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë. Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922. Një diplomat që jo thjesht vuri gurin e parë kilometrik në një rrugë të gjatë  të marrëdhënieve, por që ishte njëkohësisht i pari që ndriçoi shtetin amerikan se çfarë ishte Shqipëria, çfarë ishin shqiptarët dhe si mund ta ndihmonte Amerika Shqipërinë. “Ky vend është shumë i varfër, njerëzit në përgjithësi janë të pashkolluar dhe të paushqyer, por çuditërisht përpara meje ndodhet kryeministri Fan Noli, i cili flet një anglishte harvardiane shumë më të mirë nga mua. Dhe unë ndjehem keq përpara tij”- shkruan Smith në kujtimet për punën si ambasador në vendin tonë. Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetëra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë. Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi tre pasaporta amerikane Zogut: një për vete, një për mbretëreshën Geraldinë dhe një për Lekën e sapolindur, të cilat u refuzuan nga ai. Ambasada  amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, për 52 vjet asnjë diplomat amerikan dhe shqiptar nuk vuri këmbë në Shqipëri dhe në SHBA. Sistemi i Enver Hoxhës e shpalli Amerikën armikun numër një të popullit shqiptar dhe shtetin amerikan e cilësoi si  xhandarin e botës. Më 15 mars të vitit 1991 këto marrëdhënie u ri-thyen. William Rajerson do të bëhej ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve. Vetëm 3 muaj pasi ishte rihapur ambasada më 21 qershor 1991 sekretari amerikan i shtetit James Baker do të vizitonte Tiranën. Me mijëra shqiptarë mbushën sheshin “Skënderbej” duke i rezervuar një pritje madhështore, e ngulitur në memorien e të gjithëve. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do ta shënonin kulmin e tyre me vizitën historike të Presidentit George W. Bush më 10 Qershor 2007, e para e një presidenti amerikan në Shqipëri. Pamjet e qytetarëve të Fushë-Krujës duke u shtyrë për të përqafuar presidentin Bush, i cili përballë entuziazmit të qytetarëve theu rregullat e sigurisë, do të ktheheshin në lajmin kryesor të televizioneve amerikane. Sot, kur festohet 20 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, marrëdhëniet me SHBA janë më të mirat e mundshme që Shqipëria ka me një shtet, por nga ana tjetër janë këto marrëdhënie që i kanë dhënë një dimension tjetër kombit shqiptar në botë. Diplomati Roland Bimo ishte ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rivendosjes së marrëdhënieve thotë që janë një sërë arsyet për nivelin e tyre. “Unë kam patur fatin dhe nderin që të shërbej si ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Janë marrëdhënie të bazuara në vlera të përbashkëta, në avancimin e demokracisë dhe histori”- shprehet Bimo. Ndihma në demokratizimin e  vendit tonë, por edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës i dedikohen më së shumti politikës amerikane dhe natyrisht marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Një politikë dhe një marrëdhënie që  në 22 shtator 2011 mbushi 89 vjet. Mes Shqipërisë dhe SHBA në momentin dhe në rastin më të keq, ne shqiptarët i quanim amerikanët armiqtë numër një në botë dhe në më të mirin, jemi cilësuar si populli më pro-amerikan në botë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›