E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Arvizu: Duhet një president kushtetues - qëndrimet e Nanos për 21 janarin, tërësisht objektive

23-04-2012 / Gazeta 55

Dje pasdite ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, takoi ish-kryeministrin, Fatos Nano, vlerësoi vetëkandidimin e tij, por bëri thirrje për marrjen në konsideratë edhe të kandidaturave të tjera pozitive për këtë post. Deklarata e Arvizut: Komentet e një parlamentari (socialist) në Facebook lëndojnë familjarët e viktimave të 21 janarit, bëhen për një përfitim të shkurtër politik

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu është takuar dje me ish kryeministrin Fatos Nano, në një nga lokalet pranë “Piazza”-s në kryeqytet. Ambasadori amerikan u shpreh i kënaqur nga takimi me Nanon, duke shtuar se janë takuar disa herë dhe se pret me kënaqësi takimet në të ardhmen. “Jam shumë i kënaqur për takimin me z.Nano sot. Në fakt ne jemi takuar disa herë. Sikurse për shumë shqiptarë, një nga programet e mia të preferuara është “Zonë e lirë”, zoti Çani po ju ndjek edhe ju gjithashtu dhe çdo javë. Është interesante të shoh listën e kandidatëve që ai ka 12 apo disa të tjerë. Qartazi disa kandidatë janë më seriozë se të tjerët dhe zoti Nano është në këtë kategori ndaj është e rëndësishme të vazhdojmë diskutimet tona”- u shpreh Arvizu.
Në vijim ai tha se pika e dytë është procesi përzgjedhës i Presidentit, duke shtuar se është një proces plotësisht dhe qartësisht shqiptar. Në këtë linjë Arvizu tha se nuk po flitet për emërimin e një ministri, por për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, kështu që kërkesat janë të qartësuara në Kushtetutë, duhet të jetë një proces kushtetues, por sërish bëhet fjalë për Presidentin dhe këtë Kryeministri dhe çdo shqiptar e kupton shumë mirë. “Zgjedhja e presidentit është një proces që ka lidhje me të ardhmen e këtij vendi dhe drejtimin e tij, sikurse edhe lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë në rajon,
perspektivën në BE apo marrëdhëniet me SHBA” - tha ai.
Arvizu theksoi Shqipëria ka nevojë për një lidership pozitiv dhe theksoi se shumë nga këto gjëra pozitive janë të mbledhura te Fatos Nano.
Ambasadori amerikan u pyet nga gazetarët edhe për qëndrimet e ish kryeministrit Nano, për 21 janarin.
Sipas ambasadorit Arvizu, deklaratat e Fatos Nanos ishin të balancuara dhe objektive. “Ashtu siç shumë shqiptarë e kam parë intervistën televizive të Nanos në Top Story. Zoti Nano bëri disa pika interesante dhe të rëndësishme, një nga pikat e veçanta është me 21 janarin. Mendoj që komentet që ai bëri për 21 janarin ka të ngjarë të jenë më objektivet, më të balancuara dhe mirë menduara që i ka bërë njeri deri sot”- u shpreh Arvizu. Ai tha se ka pasur një parlamentar që ka komentuar në Facebook se nuk ka qenë dakord me mendimet e Nanos, por theksoi se vetë ai është dakord plotësisht me Fatos Nanon, ndërsa shtoi se kur e thotë këtë mendon për familjet e viktimave të 21 janarit, për kujtimin e atyre që janë vrarë, për të mirën e vendit, pasi ka nevojë për një proces shërimi. “E di që jo të gjithë e besojnë këtë. Ka pasur një parlamentar që ka komentuar në Facebook që nuk ka rënë dakord me të dhe për këtë parlamentar është e drejtë të mbajë qëndrimet e tij, por nuk jam dakord me të plotësisht dhe po mendoj për familjet e viktimave kur e them këtë gjë. Për kujtimin e personave që janë vrarë, për të mirën e këtij vendit, ne kemi nevojë për proces shërimi. Ne kemi nevojë për njerëz që japin mendime të vyera dhe që kujdesen për të ardhmen e këtij vendit. Por, ajo që nuk na nevojitet janë komente të tilla që janë bërë për një fitim të shkurtër pozitiv”- tha më tej Arvizu. Ndërsa shtoi se vendi ka nevojë për njerëz që japin mendime të vyera dhe kujdesen për të ardhmen e vendi, duke theksuar se ato për të cilat nuk ka nevojë janë komentet e lira, për një përfitim të shkurtër. “Mendoj se kemi nevojë për lider pozitiv dhe mendoj se shumë nga këto gjëra pozitive janë të përqendruara në zotin Nano”- përfundoi ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Deklarimi i mesditës - Presidenti, e vlerësoj kandidaturën e Nanos, por ka edhe alternativa të tjera/Pak ditë pas vetë-ofrimit për postin e presidentit, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka komentuar figurën e Fatos Nanos për këtë post. Arvizu është shprehur se ish kryeministri socialist Nano është një nga kandidaturat që duhet të merret në shqyrtim, ndërsa ka shtuar se Shqipëria ka nevojë për një ambasador që shërben me nder. E rëndësishme sipas ambasadorit të SHBA është të zgjidhet presidenti i duhur. “Kam ndjekur me vëmendje deklaratat e Fatos Nanos. Ai ka shumë kualifikime. Ai ka shprehur interes për këtë dhe nëse dikush shpreh interes kjo e vendos atë në një nivel më të lartë se të tjerët. Është herët të flitet për këtë proces por ka shumë qytetarë të mirë që mund ti shërbejnë këtij vendi. Duhet të gjendet njeriu i duhur dhe kjo është sfida më e madhe për këtë vend”, theksoi Arvizu. Ndërkohë dy ditë më parë kryeministri Berisha i pyetur në lidhje me kandidimin e Fatos Nanos si kandidat për president ka theksuar se mazhoranca do të propozojë kandidaturën e vet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›