E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmat s’i dhamë për partinë, i dhamë për DHINË

23-04-2012 / Gazeta 55

Banorët e komunës së Polisit ndihen të tradhtuar nga skema e ulët që kanë përdorur njerëzit e Taulant Ballës, për të mbledhur firma për partinë e Bamir Topit. Ata mblidhen sot në një takim të hapur publik, ku pritet të marrin pjesë edhe autoritetet vendore, për të vendosur për padinë gjyqësore që do ngrejnë. “S’i dhamë firmat për partinë, mos luani me identitetin tonë”, është mesazhi që banorët u drejtojnë pehlivanëve të partisë që s’mbledh dot as votat për themelimin e saj

Njerëzit e Taulant Ballës, të cilët mësynë fshatrat e komunës së Polisit për të mbledhur firmat për themelimin e partisë së Bamir Topit, pritet të mos ia hedhin paq, mashtrimit ordiner që iu bënë banorëve të fshatrave. Gazeta “55” ka denoncuar një bandë mashtruesish që qarkullojnë nëpër fshatrat e komunës së Polisit, në rrethin e Librazhdit, me lista në dorë dhe kërkojnë fotokopjet e kartave të identitetit, me alibinë se janë bamirës dhish, delesh dhe kecash. Por, lehtësisht është kuptuar se personat në fjalë, janë miq të deputetit socialist Taulant Balla dhe po mbledhin firmat për themelimin e partisë së Presidentit në detyrë, Bamir Topi. Mësohet se këtë të fundit, në sajë të llogaritjeve matematikore, e ka zënë paniku i mungesës së firmave për themelimin e partisë. Janë 4000 banorë të komunës në fjalë që kanë denoncuar abuzimin që është bërë me ta, pasi fillimisht kanë menduar se duke dorëzuar fotokopjen e kartës së identitetit dhe duke paguar komisionin prej 100 lekësh të reja, do përfitojnë dhinë apo delen, gjithnjë sipas prezantimit që u kanë bërë firma-mbledhësit. Kurrsesi s’mund të rezultonte kështu. Komuna e thellë e Polisit është zgjedhur nga mbështetësit e Bamirit me idenë se do jetë e pamundur dalja e informacionit dhe dekonspirimi i projektit dashakeq. “Dhia” ishte partia e Bamir Topit dhe për banorët e Polisit, në pronësi të tyre s’do shkonte asnjë dhi, cjap apo dele, pasi të gjitha këto emra kafshësh, personifikonin partinë e ardhshme të Presidentit. Përveçse u është marrë në mënyrë të rreme fotokopja e kartës së identiteti, 4000 polisakëve u arkëtuar edhe shumë prej 100 lekësh të reja, si alibi e pagesës së komisionit. Janë vetë banorët e kësaj komune që paralajmërojnë masa ndëshkimore ndaj emisarëve të Taulantit dhe Bamirit. Shqetësimi është evident në të gjithë fshatin, çka ka vënë në lëvizje autoritetet vendore si dhe nuk përjashtohet ndjekja e rrugëve ligjore, ndaj kësaj bande mashtruesish që kërkon firmat e mbijetesës nëpër fshatra, sikurse Edi Rama kërkonte votat në dëborë dy muaj më parë, ndërsa këtë herë palë e interesuar është Bamir Topi. “S’i dhamë firmat për partinë, mos luani me identitetin tonë”, është mesazhi që banorët u drejtojnë të pabesëve të partisë që s’mbledh dot as votat për themelimin e saj. Ndërsa gjatë ditës së sotme autoritet vendore do të dalin me një qëndrim zyrtar, gjithnjë në shenjë pakënaqësie ndaj skenës së ulët që pehlivanët përdorën ndaj tyre. 
Kuptohet halli i madh që e ka zënë aleatin e Edi Ramës, pasi kur duhen dhe 2 muaj nga skadimi i mandatit presidencial, s’po del në dritën e opinionit publik partia e re, aq shumë e propaganduar. Problemi qëndron tek 3000 firmat e themeluesve. Bamiri mund t’i ketë aq miq, por askush s’e beson atë. Probleme të tilla si ato me Hanke Topin, mund të ketë edhe më shumë familje të tjera; probleme të tilla si ajo puna e pasaportës për shtetasen e huaj në Fier, ku presidenti i refuzon shtetësinë shqiptare, mund të ketë edhe plot të tjera. Dhe qershia mbi tortë, është ajo më e rëndësishmja që i ka vënë vizën karrierën politike Bamir Topit. Roli, angazhimi dhe suporti i tij institucional në dhunën e 21 janarit, ku demonstroi haptazi, përmes deklaratës se ajo ishte thjesht “ngjarje bulevardi”, përfshirjen e tij në grusht shteti të dështuar. Më e dhimbshmja në të gjithë këtë katrahurë, ishte përdorimi i 4 njerëzve si “mish për top”, për hesape personale të Edvinit dhe Bamirit, pa harruar dhe avokatinë e titullarit të organit të akuzës. Të gjitha këto përbëjnë korpusin e risqeve që e klasifikojnë presidentin në detyrë si profil të papërshtatshëm dhe njëherazi të pabesueshëm.
Kush ia jep firmën Bamirit? Ka dyshime se një gjë të tillë mund ta ketë bërë edhe vëllai i tij! Gjithsesi, daullet bien për atë që ka veshë..., dhe deri atëherë, Bamiri le të vazhdojë të mbledhë firma me dhitë, delet, qengjat dhe cjeptë.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›