Ambasadori Arvizu: Partitë politike të presin vendimin e Kolegjit, procesi është në rrugë ligjore
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu u ka kërkuar partive politike të presin me qetësi vendimin e Kolegjit Zgjedhor përpara se të shprehen për rezultatet ndërsa ka shtuar se procesi zgjedhor ka hyrë në rrugën e duhur ligjore.
“Presim që procesi i zgjedhjeve të vijojë në rrugën ligjore. SHBA dhe Bashkimi Europian duan që procesi të vijojë sipas ligjeve në fuqi”, është shprehur ambasadori Arvizu në një prononcim për mediat.
Deklaratat e tij, Arvizu i bëri gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga instituti arsimor “Willson”.
Kryediplomati amerikan në Tiranë, vuri në dukje se
pjesëtarët e Kolegjit zgjedhor duhet të vendosin duke u bazuar në ligj dhe pa marrë parasysh ndërhyrjet politike ndërsa shtoi se vendimi i Kolegjit duhet të pranohet nga të dyja palët.
Ndërkohë dy ditë më parë, ambasadori Arvizu gjatë një vizite në Elbasan ka deklaruar se mbështet deklaratën e zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Thomas Countryman, ndërsa shtoi se kjo deklaratë është e qartë dhe se ajo duhet lexuar e plotë e me kujdes. Sipas Uashingtonit, zgjedhjet e 8 majit ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, ndërsa i apeloi klasës politike të pranojë verdiktin e qytetarëve.
Duhet të kthehemi te situate politike në Shqipëri. Dje Kolegji Zgjedhor vendosi të pushojë akt-padinë e PS-së për KZAZ-në e njësisë 5. Çfarë mendoni për këtë vendim dhe qëndrimin e Partisë Socialiste që e konsideron të papranueshëm këtë vendim?
Procesi zgjedhor ka hyrë në atë që quhet faza e kontestimit ligjor. Dhe mesa kuptoj vendimet më kritike janë ato të ashtuquajtura vendime normative. Dhe kjo është planifikuar të shqyrtohet sot nga Kolegji Zgjedhor dhe mund do të zgjasë disa ditë. Kjo nevojitet të vendoset tek faza ligjore, ashtu si, mendoj, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe të tjerë e kanë bërë të qartë, dhe ne e themi këtë si miq të Shqipërisë. Ka dy gjëra themelore që nevojiten të theksohen. Njëra është se është shumë e rëndësishme që gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor të mund të marrin vendime mbi këto çështje bazuar në vetë ato, pa asnjë lloj ndërhyrjeje apo ndikimi nga asnjë palë. Dhe pika e dytë është që sapo kjo të bëhet dhe vendimi të jepet, është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të pranojnë përfundimin sepse kjo është pjesë e procesit ligjor demokratik.
Megjithatë Partia Socialiste ka thënë se nuk do të njohë vendimin e Kolegjit Zgjedhor që hedh poshtë ankesat e saj, duke mbështetur vendimin e KQZ-së për të deklaruar Z. Basha si fitues të zgjedhjeve. Çfarë mendoni për këtë qëndrim të Z. Rama?
Mendoj se pozicioni ynë është shumë i qartë dhe sapo e shpjegova këtë. Mendoj se kjo është diçka që ne në Shtetet e Bashkuara po e shohim me shumë interes.