“Situata politike normale – opozita, tensione artificiale”
Deklarimet e Ilir Metës në Shkodër
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në një takim në Shkodër, i ka cilësuar zgjedhjet e 8 Majit si mjaft të mira dhe demokratike. Në fjalën e tij, kreu i LSI-së, Meta theksoi se, situatat e tensionuara krijohen nga politika e vjetër që nuk respekton ligjet dhe gjykatat, duke iu referuar kështu Partisë Socialiste. “Situata politike në vend është tërësisht normale, tërësisht demokratike dhe e qëndrueshme. Besoj se kjo u tregua më së miri në ditën e zgjedhjeve. Problemet e vetme që kanë ardhur janë pikërisht tensionimet artificiale të cilat vijnë pikërisht nga politika e vjetër e shantazhit mbi votën e lirë, mbi institucionet, nga mosrespektimi i rregullave të lojës demokratike dhe natyrisht që për çdo mosmarrëveshje fjalën e fundit e ka gjykata”, deklaroi lideri i LSI-së, Meta.
Duke akuzuar opozitën, kreu i LSI-së, Meta shprehu keqardhjen që sot flitet për integrimin në një kohë kur nuk respektohen institucionet. “Vendimi i gjykatës është i detyruar për të gjithë. Çdo presion që i bëhet institucioneve është i papranueshëm dhe tregon qartë se në vendin tonë ka ende politikanë që flasin për integrimin europian por kanë mentalitete të cilat i takojnë një kohe që kemi lënë prapa me dekada”, theksoi lideri i LSI-së.