E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të rivlerësohen të gjitha votat e kontestuara”

28-05-2011 / Gazeta 55

PD përsërit vullnetin për një rishikim të verdiktit të kryeqytetit

Partia Demokratike zotohet se do njohë rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës si dhe do respektojë çdo vendim të institucioneve të ligjit. Qëndrimin e shprehu dje zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, e cila përmes një deklarate për shtyp iu referua kërkesës së PD për rivlerësimin e votave të kontestuara pa marrë parasysh rezultatin. “
Mbrëmë, Partia Demokratike i qëndroi premtimit të saj se do të kërkonte rivlerësimin e votave të kontestuara pa marrë parasysh se cili do të ishte rezultati aktual për zgjedhjet në Tiranë dhe ndikimi i rivlerësimit të këtyre votave në rezultatin përfundimtar”, deklaroi zëdhënësja e selisë blu, Mustafaraj.
Ajo bëri me dije se Partia Demokratike ka marrë këtë vendim, në mënyrë që së pari të garantohet vlerësimi më i drejtë i çdo vote e çdo zëri të qytetarëve shqiptar, si dhe për faktin se sistemi ynë zgjedhor ka kontestin si procesin kryesor të garancisë për transparencë të votës.
Zëdhënësja e selisë blu, Mustafaraj deklaroi se, gjatë gjithë procesit zgjedhor Partia Demokratike ka bërë thirrje për një proces të drejtë, transparent dhe të saktë, ku çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Ajo deklaroi se ende ekziston një numër i vogël votash të kontestuara duke theksuar se shqyrtimi i tyre nuk ka gjasa të ndryshojë shumë rezultatin e zgjedhjeve në njërin apo tjetrin drejtim, duke shtuar gjithashtu se, zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet pasi procesi duhet të ketë një standard të njehsuar.
“Deri tani zëri i disa qytetarëve është bërë i pavlefshëm nga njëra ose tjetra palë, dhe nëse pala kontestuese beson se ato vota janë të vlefshme, atëherë ato vota duhet të rivlerësohen në mënyrë që zëri i çdo qytetari të dëgjohet, dhe sistemi zgjedhor të funksionojë plotësisht në përputhje me ligjin”, deklaroi Mustafaraj.
Në vijim të kësaj deklarate, ajo theksoi se, Partia Demokratike ka vendosur të përjashtojë nga  kërkesa për rivlerësimin e votave në dy kuti votimi, në të cilin kandidati Rama ka fituar me më shumë se 200 vota, por që të gjitha fletët e votimit në këto kuti ishin hedhur së bashku me kundra-fletët, duke mbajtur si kriter themelor të vlefshmërisë së votës, shprehjen e qartë të vullnetit të zgjedhësit.
Gjithashtu zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mustafaraj u shpreh se, Partia Demokratike, vlerësoi se për këtë rast, të mbysësh  zërin e mbi 1000 qytetarëve për shkak se zyrtarët e zgjedhjeve nuk kanë hequr kundra-fletën është e papranueshme pavarësisht nga avantazhi zgjedhor që kjo kërkesë do të mund të sillte. Në vijim të kësaj çështje Mustafaraj nënvizoi se, Partia Demokratike ka besim se KQZ-ja do të zbatojë një standard të njehsuar pavarësisht se për cilin shkon vota, dhe do  ta transmetojë shqyrtimin e votave drejtpërdrejt në media për të garantuar transparencën me të cilën ka punuar deri më sot.
Në përfundim të kësaj deklarate zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mustafaraj theksoi se, çështjet teknike nuk duhet të pengojnë respektimin e vullnetit të votuesit dhe shprehjen e tij në rezultatin përfundimtar, duke theksuar se, zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›