Mallkimet e pastaj fshesa – kalendari i Ramës për spastrimet në PS
Me Shkodrën, ka nisur fushata e Edvinit për mallkimin e të gjitha strukturave që s’e mbështetën në zgjedhjet e 8 majit. Pas Asamblesë së të shtunës, nëpërmjet politikës enveriste të “dyerve të hapura”, bëhet zhbërja e të gjithë delegatëve të Kongresit si dhe të të gjithë drejtuesve të padëshiruar në degët partiake nëpër rrethe. Fshesa shpiket së pari për të fshehur humbjen katastrofike në kryeqytet
Me polemikat e qytetit të Shkodrës dhe me etiketimin personal të humbësve, kryesisht në degën e qytetit, por edhe në atë të rrethit të Shkodrës, Edi Rama i ka çelur rrugë taktikës së fshesës masive, si e vetmja mundësi për të ndalur llogaridhënien në strukturat ekzistuese të partisë. Me Asamblenë e të shtunës, e cila siç thuhet, është thirrur për “çështje organizative të partisë në prag të zgjedhjeve partiake që do të bëhen në vjeshtë”, do të nisë procesi i tjetërsimit të strukturave ekzistuese, veçanërisht i trupës së delegatëve të Kongresit të partisë, një problem i rëndësishëm, në rast të ndonjë përçarjeje të fortë apo kristalizimit të ndonjë grupi kundërshtar, që do të kërkojë t’i zërë vendin. Por nëpërmjet të ashtuquajturës “hapja e dyerve të partisë” pritet që brenda vitit të zgjidhen të gjitha strukturat e re duke nisur nga krerët lokalë e deri tek kryesia e partisë. Do hapet fushata zgjedhore për zgjedhjet në PS që nga kryetarët e organizatave e deri tek delegatët e Kongresit, i cili do të mblidhet në tetor për të zgjedhur asamblenë e re kombëtare, e cila do të zgjedhe kryesine e re dhe sekretarët e rinj.
Kronika e mallkimeve - Rama në Shkodër: Fajin e keni Ju/Edi Rama ka nisur zyrtarisht turin e shfajësimit në bazën socialiste përmes sloganit “Fajin e keni Ju”. Në javën e dytë të “qarjes së halleve” me drejtuesit lokalë të PS-së në rrethe, Edi Rama është përkujdesur që për çdo funksionarë politik të opozitës, të adresojë një pikë ‘faji’, për humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 8 majit. Kësisoj, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mbërriti dje në skëterrën elektorale të Partisë Socialiste, në qytetin e Shkodrës.
Në mbyllje të javës së dytë të analizës së PS-së në degët lokale, Rama zgjodhi qytetin verior për të akuzuar drejtuesit e opozitës atje se, s’i kanë kryer siç duhet detyrat dhe se përgjegjësia e humbjes elektorale në 8 maj bie mbi ata. Pjesë e “fajit” që Edi Rama iu ngarkoi drejtuesve atje, ishte edhe humbja e tij në bashkinë e Tiranës. Absurde në dukje, por plotësisht e vërtetë po të kujtojmë se që prej hyrjes së Ramës në qytetin verior, e deri në mbyllje të takim-analizës me drejtuesit lokalë të Partisë Socialiste, asnjë nga mbështetësit apo simpatizantët e kësaj force politike nuk shfaqi interes për këtë vizitë të papritur të kryesocialistit. Kjo për arsyen e vetme se Rama ka nisur një tur takimesh në bazë jo për konsultime apo rekomandime, por për të adresuar përgjegjësitë e humbjes së tij në zgjedhjet vendore.
Kjo sigurisht që s’është pritur mirë nga baza e PS-së, të cilët kanë filluar menjëherë shfaqjen e pakënaqësive të para, duke bojkotuar vizitat e Ramës. Shqetësimin e tij, Rama e shfaqi menjëherë në takimin me drejtuesit, ku shifra e humbjes së PS-së më 10 mijë vota në bashkinë e qytetit verior i tingëllonte si “paralajmërim” i një fundi të frikshëm. Dhe jo më kot, të mendosh se kandidati socialist Uruçi u përball në Shkodër me një ‘mur’ prej 10 mijë votash në favor të kandidatit demokrat Luka, duke ia bërë atij gjithnjë e më të vështirë një ngushtim të diferencës elektorale.
Por për Edi Ramën fajin e kanë Genc Uruçi dhe Keti Bazhdari si dy drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste në rrethin e Shkodrës dhe si i tillë 10 mijë votat e frikshme, janë produkt i keqqeverisjes së tyre në këtë qytet. Edi Rama, pasi ka vizituar qytetet si Berati, Lushnja, Gjirokastra dhe Elbasani ku herë akuzonte fituesit si humbës dhe herë humbësi si fitues, në varësi të relatave me Kryetarin dhe servilizmit të luajtur prej tyre.
Në këtë sens, turet e Ramës në bazë, apo të quajtur ndryshe turet e “shfajësimit” edhe pse nuk e përmend si “faj” të tij humbjen e Tiranës, është e kuptueshme se kryesocialisti është më shumë se në pozitë ekzistenciale, aq më tepër po të mendojmë që, në kryesinë socialiste zërat që i kërkojnë atij përgjegjësitë e humbjes së PS, janë në rritje. Sidoqoftë, në provën e fundit elektorale, atë të 8 majit, Partia Socialiste vetëm në bashkinë e qytetit verior humbi me një shifër të frikshme prej 10 mijë vota diferencë...