Ambasadori Lohan: Reformat që e afrojnë Shqipërinë me BE-në po vonohen për shkak të bojkotit të opozitës socialiste
Shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan thotë se qëndrimi i opozitës jashtë parlamentit ka shkaktuar një gjendje ngecjeje përsa i përket reformave. Duke folur në emisionin “Studio e hapur” ambasadori Lohan tha se vendi i opozitës ëshrë në parlament, ndërsa u shpreh qartë se situata politike ndikon drejtpërdrejtë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ne nuk jemi arbitër. KE nuk ka për qëllim që të jetë arbitër. Mesazhi ynë është që një nga kriteret kryesore për anëtarësim në BE është stabiliteti i demokracisë në vend. Stabiliteti i demokracisë duhet të mbështetet në një parlament funksional dhe parlamenti funksional duhet të mbështet në praninë e deputetëve të zgjedhur dhe nga ky parim mund t’i kthehemi sërish diskutimit që kemi bërë më parë në lidhje me reformat që duhet të miratohen, përmirësimet që duhen bërë në kodin zgjedhor dhe që janë sugjeruar në raportin e OSBE/ODIHR. Pra të gjitha këto çështje mund të trajtohen brenda parlamentit dhe jo jashtë parlamentit” tha Lohan. Pyetjes në “Do ta quante situatën politike në Shqipëri në krize” ambasadori iu përgjigj: “Unë shikoj që ka një gjendje ngecjeje në zhvillimin e reformave në Shqipëri. Pra një gjendje ku kemi ngecur për arsye të mungesës së mazhorancës së kualifikuar në parlament”. Në vijim Lohan theksoi se KE nuk po ndërrmer asnjë iniciativë për dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës në vend. Duke folur për protestat që ka nisur opozita ambasadori tha se është e rëndësishme që ato të jenë paqësore. Përsa i përket udhëtimit të shqiptarëve pa viza në Europë ai tha se ka një shans realist që kjo të bëhet e mundur brenda gjysmës së parë të vitit që vjen.
...