Qeveria anulon shitjen e tokës publike te “Parku Rinia”, Berisha paralajmëron përvetësuesit për përballje ligjore

Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, në zbatim të Kushtetutës, anulimin e këtij vendimi.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Sipas kryeministrit pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës. “Shumë shpejt do t’u faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milion euro, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil”, u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha paralajmëroi se qeveria do të anulojë vendimin për shitblerjen e 1350 metra katror tokë publike në qendër të Tiranës, një akt i bërë tërësisht në kundërshtim me ligjin për shitblerjen e trojeve nr. 7980, datë 27.7.1995. Për këtë, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, në zbatim të Kushtetutës dhe përgjegjësinë e plotë të Këshillit të Ministrave, anulimin e këtij vendimi. Berisha argumentoi shkeljen e hapur të ligjit me aktin e shitblerjes së këtij trualli në qendër të Tiranës, duke theksuar se një transparencë e tillë do t’i bëhet të gjitha rasteve të ngjashme me këtë rast, të përvetësimit të pasurisë publike për interesa personale. Duke bërë transparencën e këtij rasti, kryeministri Berisha tha se "dua t’i kërkoj ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, të sjellë me urgjencë në qeveri vendimin për të anuluar dhunimin flagrant dhe mafioz të ligjit mbi shitblerjen e trojeve në Republikën e Shqipërisë, dhunim, i cili konsiston në përvetësimin në kundërshtim me ligjin e vendit të 1350 metrave tokë publike nga kryebashkiaku i Tiranës dhe Besniku i tij, në zemër të qytetit”. Me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave është përgjegjës për zbatimin e ligjeve të dërguara prej tij në parlament.
...