Berisha: Kadare shkroi veprën më disidente në perandorinë komuniste
Kryeministri Berisha mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave për nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, me rastin e akordimit të çmimit “Princi i Asturias”, ku e vlerësoi veprën e shkrimtarit të madh si veprën më disidente dhe më kurajoze të shkruar në perandorinë komuniste
Kryeministri Berisha ishte i ftuar mbrëmë në ceremoninë speciale të organizuar për nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me ambasadën spanjolle, me rastin e dhënies së çmimit “Princi i Asturias”, zotit Kadare. Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha u shpreh se akordimi i këtij çmimi njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të kontinentit evropian dhe natyrisht mbretit të letrave shqipe përbën një ngjarje madhore, jo vetëm për shkrimtarin e madh, për letrat shqipe, por për miliona lexues që Ismail Kadare ka në të katër anët e planetit. “Vepra e Ismailit është një vepër gjeniale, e cila i jep përgjigjen më të shkëlqyer, më të vërtetë, më origjinale pyetjes tunduese se çfarë janë shqiptarët. Në tërë veprën e tij, për mua ky është aspekti më tërheqës dhe ndofta më i arrirë”. Kryeministri u shpreh se më tepër se një vepër historike, vepra e Ismail Kadaresë, duket një paraqitje origjinale e vërtetë e shpirtit të këtij kombi. “Askund, në asnjë autor,në asnjë tekst nuk gjen përjetësinë e shpirtit tonë shqiptar njëlloj si në veprën e kolosit të letrave shqipe. Nga lashtësia deri në ditët e sotme ka arritur të paraqesë përjetësinë e shpirtit të këtij kombi dhe universalen e tij”. Kryeministri Berisha e vlerësoi veprën e Kadaresë, si veprën më disidente dhe më kurajoze të shkruar në perandorinë komuniste. “Asnjeri prej shkrimtarëve disidentë nuk arriti të atakojë direkt trurin e pushtetit ashtu siç bëri Ismaili në krijimtarinë e tij dhe kjo ka qenë një kurajë e jashtëzakonshme. Kryeministri u shpreh se ndonëse Kadare u largua nga Shqipëria, ky largim nuk u bë në kulmin e terrorit, periudhë në të cilën shkrimtari qëndroi në Shqipëri i gatshëm për të ndarë fatin e zi me të gjithë qytetarët e vendit dhe kjo përbën meritën më të madhe, tha kryeministri.
...