E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat e Komitetit Ndërministror të Integrimit marrin mbështetjen e drejtorit të KE-së për Ballkanin Pierrë Mirel

Publikohet fjala e plotë e kryeministrit Berisha, e ministres Bregu, e ambasadorit Lohan si dhe e komisionerit Pierre Mirel


Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Krahas anëtarëve të këtij komitetit, në këtë takim ishte i pranishëm drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel dhe ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë z. Helmut Lohan. Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen z. Pierre Mirel dhe z. Helmut Lohan, si dhe e vlerësoi si ditë të madhe këtë takim të parë ndërkombëtar që mbahet në sallën ë mbledhjeve të qeverisë, theksoi se Bashkimit Evropian vendosi në unanimitet të pranojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i kërkoi Komisionit Evropian të nisë konsultimet për këtë proces, i cili është një proces në vazhdim, por edhe një proces i ri që shënon fillimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më tej, Kryeministri Berisha duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë pyetësor, mbi të cilin Komisionin Evropian do të krijojë mendimin edhe vlerësimin për situatën reale në Shqipëri garantoi se qeveria e tij ka vetëm një moto: reformat perpetua mobile, si një kusht vendimtar për të bërë Shqipërinë më të përshtatshme me standardet, praktikat, normat evropiane dhe si një kusht për ndryshimin e vendit. Në fjalën e tij, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel theksoi se detyra e Komisionit Evropian është krijimi i një opinion të balancuar dhe të besueshëm, dhe se në të gjithë këtë lloj ushtrimi do të kenë si udhërrëfyes parime të thjeshta për të qenë sa më objektivë e transparent që të jetë e mundur, sepse synimi i vetëm është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Më tej, zoti Mirel theksoi gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes dypalëshe deri më tani ka qenë i kënaqshëm, por do të shikohen edhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me administratën doganore, me TVSH-në, me kriteret politike, kriteret ekonomike, me çështjen e pronësisë, si dhe me një pjesë tjetër të standardeve evropiane siç janë dhe ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm, etj. Zoti Mirel e vlerëso si shumë të rëndësishme në këtë proces bashkëpunimin, angazhimin dhe dedikimin e të gjitha institucioneve shqiptare.


Lidhur me përgatitjen e institucioneve dhe gjithë administratës shqiptare për këtë proces ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, pasi bëri një prezantim të punës përgatitore të bërë deri më tani për pyetësorin, si dhe garantoi se për sa i përket pjesës organizative Shqipëria do të jetë e gatshme të fillojë punën për t’iu përgjigjur menjëherë pyetjeve, sapo pyetësori të ketë përfunduar, u shpreh se qeveria shqiptare do të krijojë të gjithë mundësitë që t’iu përgjigjet pyetjeve në mënyrë reale, brenda një kohe sa më të shkurtër, sigurisht pa lënë mënjanë cilësinë në këtë proces. Kjo parapërgatitje e prezantuar nga ministrja e Integrimit u përshëndet më pas nga ambasadori i KE-së në Tiranë, z. Helmut Lohan, i cili theksoi se e gjithë kjo ndihmë që qeveria shqiptare po jep në lidhje me kapacitetet është një parakusht i këtij ushtrimi, pasi kjo garanton dhënien e përgjigjeve të sakta e të mira. Me tej, z. Lohan ka theksuar edhe një herë rëndësinë e kontrollit të cilësisë që duhet bërë me të gjithë funksionarët dhe udhëheqësit e këtij ushtrimi. Në fund të mbledhjes, duke i falënderuar edhe një herë të pranishmit për prezencën e tyre, Kryeministri Berisha theksoi se qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare do të jetë vërtetësia në të gjitha përgjigjet, për të kaluar me sukses provën e parë të madhe të autoriteteve shtetërore shqiptare në qëndrimin ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.


Më poshtë vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha, z. Perre Mirel, z. Helmut Lohan dhe ministres së Integrimit znj. Majlinda Bregu mbajtur në mbledhjen e KNI-së:


Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha:


“Zotërinj ministra, Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërministror të Integrimit, Ky është takimi i parë ndërkombëtar që mbahet në këtë sallë dhe kjo është me të vërtetë një ditë e madhe. Zoti Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, është sot i pranishëm në këtë takim. Ambasadori Helmut Lohan, shef i Delegacionit të Komisionit evropian në Shqipëri është sot i pranishëm në këtë mbledhje. Së pari, unë dëshiroj t’u uroj përzemërsisht mirëseardhjen në këtë takim, në këtë mbledhje të Komitetit Ndërministror të Integrimit. Zoti Mirel është sot i pranishëm këtu vetëm pak ditë pasi Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian vendosi në unanimitet të pranojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i kërkoi Komisionit Evropian të nisë konsultimet për këtë proces, i cili është një proces në vazhdim, por edhe një proces i ri. Ky është një proces i ri pasi, në të vërtetë, shënon fillimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Hapi i parë është pyetësori që Komisioni Evropian do t’i dorëzoj qeverisë shqiptare. Ky pyetësor që ka si qëllim të verifikojë dhe intensifikojë të gjithë gjendjen, statusin e demokracisë dhe funksionimit të saj në Shqipëri, ekonomisë së tregut dhe funksionimit të saj, reformat e ndërmarra deri më sot dhe perspektivën e tyre. Pra, përgjigjet ndaj këtij pyetësori kanë një rëndësi përcaktuese për Komisionin Evropian, i cili mbi bazën e këtij pyetësori do të krijojë edhe mendimin, edhe vlerësimin për situatën reale në Shqipëri. Kjo qeveri ka një moto, e cila është: reformat perpetua mobile, si një kusht vendimtar për të bërë Shqipërinë më të përshtatshme me standardet, praktikat, normat evropiane dhe si një kusht për ndryshimin e vendit. Unë dua t’ju garantoj se qeveria nuk do të tërhiqet, por do të procedojë me të gjithë reformat, pavarësisht nga çmimi që ato kanë, sepse ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Ne kemi një avantazh të madh si qeveri, mbështetjen e jashtëzakonshme që shqiptarët i bëjnë procesit të integrimit. Besimi i madh që treguan ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian duke pranuar kërkesën; gatishmëria e Komisionit Evropian për t’iu përgjigjur vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, e cila dëshmohet nga pranua juaj sot këtu; mbështetja me mbi 95 për qind e procesit të integrimit nga qytetarët shqiptarë, janë obligime shumë të mëdha për qeverinë time, për të cilat ne do të qëndrojmë me të gjitha potencialet tona për t’i përmbushur.


Fjala e drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel:


“Zoti Kryeministër, Zotërinj ministra, Kryetarë të agjencive të ndryshme. Është një nder i madh për mua që ndodhem këtu, në këtë mbledhje ndërministrore. Po ashtu, jam tepër i lumtur që ndodhem këtu, në këtë mbledhje, pikërisht sepse ne do të diskutojmë dhe do të flasim për pyetësorin, ç’ka do të thotë se Shqipëria ka hyrë në një proces të vështirë, i cili është pikërisht procesi i integrimit evropian. Nga njëra anë, kjo është një arritje që do të thotë se Marrëveshja e Asociim Stabilizimit është ratifikuar, pra ka hyrë në fuqi. Por, ashtu sikurse e thatë edhe ju vetë zoti Kryeministër, ky është edhe fillimi i një procesi. Ky është fillimi i një procesi gjatë të cilit ne do të shohim vërtetë hollësirat e atyre që janë arritur deri tani në Shqipëri për sa i përket reformave dhe gjithë ato kritere të ndryshme të anëtarësimit. Kjo është e detyrueshme edhe sipas Traktatit të BE-së, pasi kur një shtet bën kërkesën për anëtarësim kërkohet mendimi i Komisionit Evropian. Dhe, në fakt, detyra jonë është të kemi një opinion të balancuar dhe të besueshëm. Prandaj, ne do t’ju japim një sërë pyetjesh dhe në qoftë se përgjigjet që marrim nuk janë tepër të qarta ne, sigurisht, do t’ju kthehemi dhe t’u bëjmë pyetje të tjera ministrive apo agjencive të ndryshme për të qartësuar ndonjë gjë që nuk e kemi kuptuar. Kjo për arsye se ne, në mënyrë që të bindim shtetet anëtare, duhet të jemi të bindur vetë si fillim. Atëherë, më duhet t’ju ne do të jemi në kontakt gjatë gjithë kohës, të themi do të bezdisim gjatë gjithë kohës ministri të ndryshme, sepse mund të duhen pyetje të tjera dhe statistika të ndryshme. Por, në të gjithë këtë lloj ushtrimi, ne do të kemi si udhërrëfyes parime të thjeshta që të jemi sa më objektivë dhe sa më transparent që të jetë e mundur, sepse synimi që kemi është anëtarësimi i Shqipërisë. Dhe, duke pasur parasysh këtë mbështetje kaq të madhe që keni nga populli shqiptar, siç e thatë dhe ju zoti Kryeministër, ky proces është akoma edhe më i rëndësishëm. Po të pyesim të gjitha ato shtete që tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian jam i sigurt ato që do të thonë se Komisioni ka qenë për t’a një aleat në këtë proces. Kjo është e vërtetë, pavarësisht se ndonjëherë jemi aleatë të vështirë. Sërish, kjo për arsye se synimi është që të kemi anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE.


Fjala e ministres së Integrimit, znj. Majlinda Bregu:


“Zoti Kryeministër, i nderuar zoti Mirel, zoti ambasador Lohan, të nderuar kolegë. Në fakt, ky është formati me të cilin ne do të përballemi shumë shpesh, duke filluar besoj që nga dita e sotme, për faktin se detyrimet tona të përbashkëta do të vijnë duke u shtuar. Ne jemi të vetëdijshëm se suksesi dhe procesi i plotësimit dhe dhënies së përgjigjeve të pyetjeve voluminoze të Komisionit Evropian, do të jetë një sukses i plotë dhe i kënaqshëm, sa më shumë vëmendje t’i kushtojmë kësaj faze parapërgatitore, sepse përgatitja e mirë, deri në momentin kur të marrim materialin e plotë, do të thotë të kemi një qartësi dhe se nuk do të humbasim asnjë minutë në momentin kur dorëzimi i pyetjeve do të jetë publik dhe sigurisht kur puna të fillojë në të gjitha institucionet në mënyrë të njëhershme. Institucionet shqiptare, jo vetëm ministritë e linjës, por të gjitha institucionet e tjera të pavarura, të cilat janë të përfshira në procesin e pyetësorit, janë të gjitha të identifikuara. Të gjitha institucionet kanë ngritur grupet e tyre të punës, të cilët do të jenë përgjegjësit kryesorë për përgjigjen e pyetjeve të pyetësorit; të gjitha institucionet kanë tani një tabelë, le të themi të një qasje se sa do të jetë numri i pyetjeve që do t’u përcillen atyre, por njëkohësisht pak a shumë edhe se çfarë natyre do jenë këto pyetje, pasi ne kemi një vlerësim të reformave që kërkojnë të koordinohen, të vlerësohen të legjislacionit shqiptar për të cilin do të pyetmi me anë të këtij pyetësori. Në proces, në vlerësimin e deri para një jave, nga konfirmimet e të gjitha institucioneve dhe ministrive të linjës, janë të përfshirë në mënyrë nominative 411 persona, të cilët më duhet të theksoj se janë, kryesisht, pa zbritur deri në nivelin e atyre që siç mund t’i quajmë “pronarë” të përgjigjeve të pyetjeve. Në total ne do të angazhojmë jo më pak se sa 800 punonjës civilë të kësaj administrate, një grup i tërë njerëzish të cilët do të merren çdo ditë, me orar dhe pa orar, për të përmbushur detyrimin tonë madhor të plotësimit të pyetësorit të instrumentit të Komisionit Evropian. Të gjitha institucionet kanë identifikuar koordinatorin apo team-liderin e tyre, i cili do të jetë në nivelin e zëvendësministrit apo të sekretarit të përgjithshëm të institucionit, të cilët do të jenë në takime të përditshme me Komitetin e Koordinimit, i cili është i përbërë nga drejtuesit e grupeve të punës në institucione dhe nga Ministri i Integrimit. Janë identifikuar tani le të themi grupet e punës mikse, pra ku për një sërë kapitujsh dhe çështjesh të caktuara, do të duhen të përgjigjen jo vetëm ministritë e linjës, por së bashku me to, edhe institucionet e pavarura. Për të shmangur konfuzionin apo ndonjë lloj konfliktualiteti se kush do t’i përgjigjet cilës pyetje, janë përcaktuar edhe liderët e këtyre grupeve pune, nga pikëpamja institucionale. Të gjitha pyetjet, të cilat do të kenë pikëprerje dhe ku vendimmarrja brenda grupit të ngushtë të punës do të jetë e vështirë për t’u marrë, do të përcillen në grupin e zgjeruar të nivelit më të lartë të kontrollit, i cili është i përbërë nga përfaqësuesit e institucioneve në nivel zv/ministri, por edhe ministra. Së fundmi, vula procesit vihet nga Këshilli i Ministrave, mbasi është njoftuar se ka marrë miratimin dhe nga ky Komitet Ndërministror i Integrimit. Dje kemi përfunduar fazën e identifikimit të grupit të përkthyesve. Janë 57 përkthyes të identifikuar, të cilët do të përfshihen në procesin e përkthimit të përgjigjeve të pyetjeve të pyetësorit. Përkthyesit fillojnë fazën e tyre të një trajnimi intensiv, sigurisht jo për aftësitë e tyre linguistike, por për të qenë më të qartë se si do të punojnë edhe ata në këtë proces, bashkë me institucionet dhe ministritë e tjera. Çdo institucion përveç kapaciteteve të tyre të brendshme, të cilat do të jenë të përfshira direkt për të punuar në dy gjuhë, sikur është edhe trendi i gjatë gjithë këtij procesi, pra në shqip dhe në anglisht, do të kenë një ekspertizë prej një grup 2-3 përkthyesish, të cilët do të jenë pranë tyre për t’i ndihmuar dhe për të bashkëpunuar në mënyrë që në fund, i gjithë materiale të ketë sigurisht një vulë profesionale të qartë, por njëkohësisht dhe një vijueshmëri linguistike të mirë. Në çdo grup pune, një përfaqësues i Ministrisë së Integrimit, një përfaqësues i Ministrisë së Financave dhe sigurisht edhe nga INSTAT-i, do të jetë prezent për të përditësuar dhe plotësuar me informacion dhe të dhëna, për të bërë analizën nga pikëpamja financiare, pra për të pasur një lloj konkordance me të gjitha grupet e punës, që do të punojnë në dhënien e përgjigjeve të pyetjeve, të ndara sipas kapitujve dhe njëkohësisht të përfshira edhe sipas detyrimeve që kanë në këtë proces. Shumë shpejt ne do zhvillojmë një retreat me të gjithë qeverinë, me të gjithë personat që do të jenë përfshinë në këtë proces. Më duhet të vlerësoj se bazuar jemi mbështetur për të përgatitur gjithçka, pra edhe këtë fazë, nga eksperienca dhe ndihma e pakursyer e qeverisë kroate, por njëkohësisht edhe qeverive të tjera mike të rajonit, të cilat janë diçka para nesh në plotësimin e pyetjeve të këtij pyetësor. Në të gjithë llogaritjen tonë të kalendarit, të metodologjisë, e cila ka përfunduar dhe do të jetë një ndihmë besoj për të gjithë anëtarët e grupeve të punës, duke filluar që nga momenti i marrjes në dorëzim të një pyetje dhe deri në dhënien përfundimtare të përgjigjes të saj, me gjithë ndërtimin e portalit, ose lë te themi të soft-it, i cili do të lehtësojë punën e gjithsecilit prej nesh, ku AKSH-i është përfshirë vrullshëm, besoj se do të jetë një proces, ku do t’i krijojmë mundësinë vetes për t’u përgjigjur në mënyrë reale brenda një kohe sa më të shkurtër, sigurisht pa lënë mënjanë cilësinë në këtë proces. E rëndësishme për ne dhe për të gjithë është që përgjigjet të jenë sa më realiste, sa më të sakta, sigurisht jo shumë të gjatë, për të pasur mundësi që të shmangim atë që zoti Mirel tha pak më parë, dërgimin e pyetjeve të tjera, apo të sqarimeve shtesë. Pra, për sa i përket pjesës organizative ne mund t’ju garantojmë, që sapo ju të keni përfunduar pyetësorin në formatin final, ne do të jemi gati një orë pas dorëzimit të tij, që të fillojmë punën reale për t’iu përgjigjur pyetjeve.


Fjala e ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë z. Helmut Lohan:


“Zoti Kryeministër, Faleminderit shumë dhe jam shumë i nderuar që gjendem sot në këtë mbledhje. Ju përgëzoj për këtë dhe jam po ashtu aq i lumtur që dëgjova fjalët e ministres Bregu për punë organizative që është bërë për t’ju përgjigjur pyetjeve. Ka shumë fusha në jetë kur ne mendojmë mes cilësisë dhe sasisë. Unë do të thosha që në këtë rast sasia e madhe e gjithë kësaj ndihme që ju po jepni, pra e kapaciteteve që po jepni, është një parakusht i këtij ushtrimi. Këtu përmendët faktin se do të ishte diçka shumë që mirë që ju do të na jepni përgjigje të sakta, përgjigje të mira, por doja të thosha që për suksesin e këtij ushtrimi është shumë i rëndësishëm kontrolli i cilësisë që ju do të bëni me të gjithë funksionarët dhe udhëheqësit e këtij ushtrimi.


Kryeministri Berisha i kërkoi z. Mirel të bëjë një ekspoze edhe për aspektet teknike të pyetësorit. Më poshtë vijon shpjegimi i z. Pierre Mirel: “Do të doja të bëja disa komente për atë se si ne do të procesojmë. Së pari, cilat do të jenë elementët me kryesorë për të cilat të themi do të gjykohet Shqipëria. I pari, sigurisht, është vënia në zbatim e Marrëveshjes dypalëshe, ajo që ne e quajmë një historik të vënies në zbatim. Ne kemi treguar se deri tani ka pasur një zbatim të kënaqshëm, por ne do të shohim edhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë p.sh. me administratën doganore. Në disa raste do të shohim se si administrata doganore i vë në zbatim këto rregulla që kanë të bëjnë me vlerësimin doganor. Ose p.sh. ne do të shohim TVSH-në, nëse ajo aplikohet në kohën e duhur, dhe unë e di që për zotin Kryeministër kjo ishte një çështje e rëndësishme. Pra, këto janë disa nga ato gjëra që ne do të shohim me kohë. Elementi i dytë, që është edhe shumë i rëndësishëm, janë kriteret politike. Dhe, në fakt, janë pikërisht këto kritere politike apo plotësimi i tyre parakushti për të rekomanduar apo për të mos rekomanduar një vend aplikant. Gjithashtu, ne do të shohim edhe një seri kriteresh të tjera që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike, por më saktë një grup të caktuar, pra do të shohim nëse ekonomia e tregut funksionon siç duhet. Pra, duke parë pikërisht këto, ato që quhen disa nën/kritere të funksionimit të ekonomisë së tregut, për mua ndoshta njëra prej tyre është e rëndësishme dhe më vjen në mend, kjo është diçka që ka të bëjë edhe me shtetet e tjera në rajon, është çështja e pronësisë. Pra, e drejta e pronësisë dhe po ashtu respekti për kontratën janë elementë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me kriteret ekonomike. Po ashtu, ne do të shohim edhe pjesën tjetër të standardeve evropiane. Ju do të duhet që të raportoni edhe për çështje të tjera si p.sh. ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm, etj, por kriteret më të rëndësishme kanë të bëjnë me kriteret politike dhe tregu funksional. Por, si do të procedojmë ne nga ana jonë? Siç e thash dhe me parë, pasi të marrim përgjigjet tuaja ne do t’i vlerësojmë ato në Bruksel, do t’i shqyrtojmë me kujdes dhe ndoshta do të kthehemi përsëri tek ju me disa pyetje të tjera, ndoshta do të kemi disa takime teknike. Po ashtu, ne do të dërgojmë disa misione ekspertësh në Shqipëri në mënyrë që ata të konfirmojnë që ajo që është shkruar në letër është edhe realiteti në terren. Ashtu siç bëjmë edhe me Progres Raportin çdo vit, ne do të marrim edhe mendimin e të tjerëve përveç qeverisë, se përndryshe do të ishte tepër e lehtë. Dhe si do të procedojmë? Në këtë pikë dua të falënderoj zonjën Bregu për atë që tha, por ndoshta kjo është diçka për palën shqiptare, ku të mendojë nëse duhen marrë mendime apo duhet konsultuar me Organizata Jo Qeveritare. Ju e dini se sipas modelit kroat, ata janë konsultuar me grupe të ndryshme si akademike, Organizata Jo Qeveritare, me grupin e biznesit, por dua të them se nuk ka model të vetëm për çdo gjë. Kjo është tashmë në dorën tuaj. Për sa i përket kohës, ne kemi thënë se presim që përgjigjet të jenë gati brenda 3 muajsh, por gjithsesi kjo është diçka që ne do ta dëshironim. Sërish dua të them se ky është një proces tepër i rëndësishëm dhe, ashtu siç e tha edhe ambasadori Lohan, cilësia është shumë më tepër e rëndësishme sesa sasia. Nuk do të ishte fare mirë për ne nëse do të na vinin përgjigje të pakompletuara apo përgjigje që nuk do të ishin të kuptueshme, pasi ne do të na duhej që të ktheheshim herë pas here tek ju. Pra, ajo që dua të them është se në rast se për procesin do të duhen më shumë se 3 muaj, atëherë le të jenë më shumë se 3 muaj. Po ashtu, nuk do të ishte keq nëse do të na dërgoheshin një pjesë të tyre. Pra, një seri pyetjesh që kanë të bëjnë p.sh. vetëm me kriteret politike apo me diçka tjetër, të cilat të grumbulluara bashkë na dërgoheshin pjesë-pjesë. Nuk duhet të na dërgohen përgjigje të pjesshme të pyetjeve, draft-përgjigje, por një grup pyetjesh finale nga të kërkuarat. Pasi t’ju vijnë pyetjet tona mos hezitoni të na bëni sërish pyetje, nëse nuk e kuptoni atë që ne kemi përgatitur në Bruksel. Kjo për arsye, sepse sigurisht që do të bëhen pyetje tani, por mund të kenë lidhje edhe me një situatë të mëvonshme, pas disa vitesh, kështu që është e natyrshme që ju të keni pyetje. Prandaj, sërish do t’ju lutesha që të mos hezitoni të na kërkoni mendimin tonë apo edhe takime teknike. Komenti im i fundit është: ky është një ushtrim vërtetë i ngarkuar. Dhe, thirrja ime për të gjithë ministritë e linjës do të ishte: mos prisni që Zonja Bregu të bëjë gjithë punën. Unë jam i sigurt që ajo ka për të bërë një punë të mirë në koordinimin e gjithë kësaj, por gjithsesi barra për punën mbetet tek ministritë e linjës. Për ne është e rëndësishme që përpos punës së zonjës Bregu, në çdo departament apo drejtori tuajën të kini njerëz që të jenë të dedikuar për të bërë vetëm këtë lloj pune, përgjigjet e pyetësorit. Ne kemi nevojë për ju që të përgatisni Shqipërinë dhe ju keni nevojë për ne që të bindim shtetet anëtare për përgatitjen tuaj. Prandaj, le të punojmë së bashku që të arrijmë disa përgjigje dhe në fund një vlerësim që të jetë i balancuar dhe i besueshëm”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›