E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/kryeministri Ilir Meta mbërrin në Prishtinë, konfirmon mbështetjen për një Kosovë demokratike me perspektivë evropiane

“Shqipëria mbështet Kosovën shtet të pavarur e sovran, por mbështet edhe një Kosovë demokratike me perspektivë evropiane”, ka thënë zëvendës kryeministri i Shqipërisë dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, me të zbritur në Aeroportin e Prishtinës në vizitin e tij dyditshe në Kosovë. “Jemi dëshmitarë të një procesi të Ballkanit Perëndimor drejtë Bashkimit Evropian. Raporti i progresit për Kosovën, tregon perspektiven e Kosovës për Bashkimin Evropian. Shqipëria mbështet Kosovën shtet të pavarur e sovran, por mbështet edhe një Kosovë demokratike me perspektivë evropiane”, ka thënë shkurt Meta.


Meta-Sejdiu: Kosova ka perspektivë evropiane Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti në takim z.Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë. Presidenti Sejdiu gjatë takimit e falënderoi z.Meta për mbështetjen e fuqishme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë, i jep dhe do t’i japë Kosovës, si dhe për përkushtimin e madh të ministrit Meta që të mbështesë Kosovën në proceset e rëndësishme të integrimeve, të demokracisë, të funksionimit të institucioneve dhe në veçanti për angazhimin e posaçëm të gjithë rrjetit diplomatik të Republikës së Shqipërisë, por edhe të udhëheqësve me të lartë të vendit, në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Duke folur për arritjet e vendit, Presidenti Sejdiu tha se kemi një kualitet të veçantë të ecjes sonë, në këtë kuadër 63 vende deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës, por do të kemi nevojë për njohje të mëtejme, si dhe e vlerësoi lart anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Bashkëpunimet rajonale si dhe marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Shqipërisë, Presidenti Sejdiu i quajti të interesit të veçantë. Ai përmendi kontributin që Republika e Shqipërisë ka pasur në rajon dhe në bashkëpunimin ndërfqinjësor edhe me vendet e tjera, duke shtuar se ardhja e z. Meta në Prishtinë dhe takime të tjera që ai do të zhvillojë me përfaqësuesit e institucioneve të tjera do të jenë një garanci plus e këtij përkushtimi.Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta theksoi të ketë biseduar me Presidentin Sejdiu për stadin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili sipas ministrit tij gëzon një partneritet në rritje në të gjitha fushat, si dhe për drejtimet sa i përket dinamikës në proceset integruese në Bashkimin Evropian. “Dua të shpreh konsideratën më të lartë për progresin që e ka arritur shteti i ri i Kosovës në njohje në një kohë shumë të shkurtër dhe jam i bindur se në themel të këtij progresi qëndron Kushtetuta demokratike dhe evropiane e Kosovës, ku padyshim roli i Presidentit Sejdiu ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm dhe i vlerësuar në këtë stabilitet politik dhe të funksionimit të institucioneve në Kosovë”, theksoi z. Meta. Ai foli edhe për sfidat që i ka Kosova, siç është sfida e afirmimit të mëtejshëm të këtij shteti të ri, i cili sipas z.Meta gëzon njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare në një kohë të shkurtër dhe të cilat do të vijojnë pa u ndalur, si dhe sfidën për të pasur një perspektivë të qartë evropiane, e cila gjithnjë e më qartë po i ofrohet dhe do t’i ofrohet Kosovës. “Ka një angazhim konkret së fundmi në mënyrë që edhe Kosova të ketë udhërrëfyesin e saj për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian ashtu sikurse angazhimin i qartë i Bashkimit Evropian që kjo dinamikë pozitive e integrimit të Ballkanit Perëndimor të jetë padyshim një dinamikë e cila do të përfshijë edhe Kosovën si një shtet të ri dhe në radhë të parë si një shtet evropian i krijuar në Evropë dhe i cili vendin e ka pikërisht si një anëtar i brendshëm i BE-së me gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Meta.


Thaçi: Shteti i Kosovës po konsolidohet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ja edhe prononcimet e kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, në konferencën e mbajtur për shtyp në Qeverinë e Kosovës

Deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi": Kisha kënaqësinë të prisja në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Shqipërisë, z. Ilir Meta, me të cilin biseduam për zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Eshtë mjaft inkurajues kjo perspektivë e dy vendeve tona, perspektiva euroatlantike, për Kosovën si pjesë e NATO s dhe e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt dhe perspektiva e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë. Reformat do të vazhdojnë në të dy vendet, reforma demokratike edhe në legjislacion, edhe në politikë dhe ekonomi. Kontributi është për paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane e dy vendeve dhe dy qeverive tona. E informova z. Meta edhe për zhvillimet në Kosovë, për të gjitha proceset, edhe të njohjeve, si dhe proceseve tjera. Mendoj se të gjitha këto angazhime, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetin e Kosovës, që shteti i Kosovës po konsolidohet. Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë. Ndërsa, do të vazhdojmë me gjithë përgjegjësinë shtetërore që bashkëpunimi mes dy qeverive tona të thellohet edhe më tepër dhe marrëveshjet të cilat i kemi nënshkruar së bashku me kryeministrin Berisha, të vazhdojnë të implementohen në të gjithë sektorët. Gjithashtu falënderoj z. Meta për angazhimet e tij në të gjitha takimet ndërkombëtare për τështjen e Kosovës, në veτanti të njohjeve të reja që kanë ardhur dhe që do të vijnë në të ardhmen.
Deklarata e zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta": Eshtë kënaqësi e veτantë të jem para jush me kryeministrin Thaçi dhe të shpreh konsideratat më të larta për sukseset e jashtëzakonshme që shteti i ri dhe i pavarur i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga z. Thaçi ka arritur në një kohë kaq të shkurtër. Një shumicë e padiskutueshme e vendeve të NATO s dhe Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën. Gjatë kësaj periudhe të fundit anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, është një ngjarje tepër premtuese, në mënyrë që Kosova shumë shpejt të arrijë edhe progresin e dëshiruar ekonomik dhe social dhe njëkohësisht edhe zhvillimet e tjera. Do të vlerësoja në mënyrë të veτantë kurajën dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur çështjen e kufirit me Maqedoninë, e cila solli edhe njohjen diplomatike. Kjo tregon se Kosova ka idenë e qartë për fqinjësi të mirë, që në themelet e veta ka integrimin evropian edhe të Kosovës dhe gjithë rajonit tonë. Dua të shpreh vlerësimin më të mirë për standardet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, që ishin të parat pas formimit të shtetit të ri të Kosovës. Këto zgjedhje ishin një test i shkëlqyer i formimit të institucioneve në Kosovë dhe në mënyrë të veτantë vlerësoj rritjen e dukshme dhe premtuese të pjesëmarrjes së komunitetit serb në këto zgjedhje. Shpreh përkrahjen e plotë për Qeverinë e Kosovës, për përpjekjet e saj për ta integruar sa më mirë minoritetin serb dhe të gjitha grupet e tjera në vend. Njëkohësisht shpreh edhe angazhimet e Qeverisë shqiptare për të ndihmuar edhe ne nga ana jonë për të kontribuuar në plotësimin e disa shërbimeve të komunitetit serb me iniciativa konkrete. Kosova e pavarur dhe Kosova evropiane, janë interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por janë në interes edhe të të gjithë fqinjëve të Kosovës. Ky realitet është mirë të njihet nga të gjithë, sepse çdo qëndrim tjetër nuk i shërben atij momenti të ri përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zv/kryeministri Ilir Meta do të bëjë nesër homazhe tek varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz, pastaj tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova si dhe do të vizitojë manastirin në Deçan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›