Ambasadori Sequi: Njësitë vendore të bashkëpunojnë. Basha: Do jemi shembull

Roli i pushtetit vendor në procesin e integrimit evropian
Njësitë vendore do të ndihmojnë në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe veçanërisht në këtë moment që vendi ynë ka marrë presidencën e Këshillit të Europës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha deklaroi dje në tryezën e rrumbullakët mbi rolin e qeverisë vendore dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit europian, të organizuar nga shoqata e bashkive, se Shqipëria do jetë shembull pozitiv gjatë presidencës 6-mujore të KiE. Ndërsa e ka cilësuar si një moment shumë të rëndësishëm për vendin kryesimin e KiE, zoti Basha tha se “ne vijmë në këtë presidencë me ide të qarta, me një axhendë të mirpërcaktuar dhe me besimin e madh se kemi shumë për të dhënë, pas një periudhe prej afro dy dekadash, anëtarësimi dhe përfitimi në këtë organizatë”. Zoti Basha shprehu angazhimin e të gjithë njësive vendore, për të ndihmuar në suksesin e kësaj presidence. “Duke mbështetur prioritetet e presidencës shqiptare në Strasburg, ju garantojmë se këtë gjashtë mujor, përveç punëve tona të përditshme, pushteti vendor do të jetë pjesë e përpjekjes shqiptare, për të pasuruar “mozaikun” e Këshillit të Europës, me vlerat tona më të mira”- u shpreh Lulzim Basha. Në këtë tryezë, ministri Haxhinasto mbajti një fjalë ku theksoi rëndësinë e madhe që ka qeverisja vendore si një faktor direkt për përmbylljen me sukses të procesit të integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Evropian. “Duke e quajtur integrimin evropian, si një aksion kombëtar, funksioni i qeverisjes vendore, është i jashtëzakonshëm, do të thoja se është një nga elementet përcaktues që vendi ynë të realizojë në kohë dhe siç duhet, të gjithë angazhimet, detyrimet përpara së gjithash ndaj qytetarëve të vendit”- theksoi zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi kërkoi që njësitë vendore të bashkëpunojnë, duke kapërcyer polarizimin partiak. “Mesazhi im final është i qartë, ka nevojë për një bashkëpunim politik ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, një demokraci funksionale që ju shërben komuniteteve dhe qytetarëve”, - deklaroi kreu i prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Diplomati evropian garantoi vazhdimin e ndihmës së Bashkimit Evropian, për qeverisjen vendore, duke theksuar se pritet të akordohet një fond prej 82 milionë euro për projekte të ndryshme.