E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në Tiranë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionin të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të kërkimit në vendin tonë, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Universitetit Politeknik në Tiranë.

Rikonstruksioni i godinës, ndërtimi dhe pajisjet, kapin vlerën e rreth 75 milion lekë. Në këtë Institut në 5 vitet e fundit janë bërë financime për kërkim dhe zhvillim rreth 180 milion lekë. Për modernizimin e rrjeteve hidrometereologjikë janë financuar 220 milion lekë nga Qeveria dhe Banka Botërore. Në total investimet janë rreth 480 milion lekë në 5 vite të marrë së bashku. Pas inaugurimit të godinës së rikonstruktuar, Kryeministri Berisha pa nga afër ambientet e institutit, konkretisht qendrën e projektit të dixhitalizimit, qendrën e monitorimit të aktivitetit sizmik, departamentin e gjeofizikës si dhe qendrën kombëtare për parashikimin, dhe monitorimin e rreziqeve natyrore. Ai vlerësoi punën e bërë si dhe pajisjet shumë serioze dhe ndër më të avancuarat me të cilat ishte pajisur ky institut, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës së studiuesve, punonjësve të këtij instituti të një rëndësie jetike për vendin, ekonominë dhe shkencat e tij.

Kryeministri Berisha tha gjithashtu se ky institut është i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe në radhë të parë është i një rëndësie të madhe për sigurinë kombëtare dhe emergjencën.  Kryeministri Berisha premtoi se, qeveria do të mbështesë vazhdimisht projektet e kërkimeve shkencor. “Pra duhet të bëjmë gjithçka që të thjeshtojmë burokracinë në kërkimin shkencor, ta nxisim atë ne maksimumin e mundshëm. Unë ju garantoj zoti Rektor se qeveria shumë shpejt do të shqyrtojë normat e orëve të mësimit në universitet dhe do ti reduktojë ato në mënyrë, që pedagogët, asistentet, të kenë kohen e mjaftueshme për kërkime shkencore. Vetëm një Shqipëri e bazuar mbi kërkimin dhe inovacionin do të mund të ketë ritmet më të larta të zhvillimit”, u shpreh kryeministri.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari dëshiroj t’ju përgëzoj dhe të shpreh kënaqësinë që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj ndërtese, e cila përmirëson ndjeshëm kushtet e punës së studiuesve, punonjësve të këtij instituti të një rëndësie jetike për vendin, ekonominë dhe shkencat e tij. Ky është një investim prej 75 milion lekë, por në vitet e fundit në institut janë bërë financime për kërkime dhe studime rreth 180 milion lekë, për modernizimin e rrjeteve hidrometeorologjike rreth 220 milion lekë, nga qeveria dhe Banka Botërore, në total investimet shkojnë rreth 480 milion lekë.

Unë vizitova me shumë interes sektorët e këtij instituti dhe konstatova me kënaqësi se, në këto sektorë ekziston një bazë pajisjesh shumë serioze dhe ndër më të avancuarat. Sigurisht që ato përdoren nga studiues, shkencëtarë, të cilët kanë një përvojë dhe përkushtim të madh në fushë. Në sektorin e hidrometeorologjisë konstatova se është një bashkëpunim i ngushtë me institutin respektiv italian dhe bashkëpunim shumë i frytshëm.

Dua të theksoj edhe njëherë se, ky institut është i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin. Në radhë të parë ky institut është i një rëndësie të madhe për sigurinë kombëtare dhe emergjencën. Çdo emergjencë është çështje e sigurisë kombëtare dhe të dhënat e këtij instituti, në këtë aspekt janë të një rëndësie jetike për parashikim, për trajnimin, për menaxhimin e tyre, qofshin ato ujërat, zjarret, tërmetet, shembjet, apo të tjera. Konstatoj me kënaqësi se ju keni këtu pajisjet më moderne dhe jeni zotër në këto fusha. Ju në shumicën e tyre mblidhni të dhëna online nga qendrat që keni në mbarë vendin. Për ne, çështjet e emergjencës janë natyrisht çështjet më të parat dhe me kryesoret ,sepse me to lidhet jeta e qytetarëve shqiptare, çdo emergjencë përben një kërcënim madhor për jetën e qytetarëve, pastaj për vlerat e tyre materiale. Avancimi i mëtejshëm dhe kontraktimi i pajisjeve më të avancuara që mund të ekzistojnë, është një domosdoshmëri dhe ju garantoj se, qeveria nuk do të kursej asgjë që ju të keni teknologjinë më të avancuar më moderne dhe rrjetin më serioz në mbarë vendin. Konstatoj me kënaqësi, që keni vendosur lidhje me rrjetet rajonale dhe rrjetet botërore dhe këto lidhje janë të domosdoshme, jo vetëm për fondin e të dhënave të informacionit, por janë të domosdoshme dhe për të nxjerrë në pah dhe për të ekspozuar veprimtarinë tuaj kërkimore shkencore dhe të përditshme.

Konstatoj gjithashtu dhe ia shpreha edhe drejtorit, që këtë punë të mrekullueshme që bëni nuk e keni të ekspozuar, një pjesë e së cilës është e domosdoshmëri, nuk mundet që të dhënat metereologjike, ju të mos i transmetoni në media, megjithëse ju i transmetoni në prefektura, por e mira është që ti jepen të gjitha mediave të vendit dhe t’ju krijoni mundësi që në portalin tuaj të marrin në çdo kohë informacion, por jo vetëm mediave por edhe çdo qytetari. Shqipëria po ecën në rrugën dixhitale, qytetarët duhet të kenë informacionin më të plotë nga ky institut, i cili ka të gjitha potencialet dhe ne jemi të prirur ti zgjerojmë ato.

Për ne studimet e këtij instituti janë shumë të rëndësishme. Vazhdimi i studimit të ujërave të vendit, pasurisë kombëtare numër një, që ka Shqipëria mbetet dhe duhet të mbetet gjithnjë një prioritet madhor. Ujërat janë studiuar në vite dhe dekada, por ujërat kanë dinamizmin e tyre, ndaj dhe kanë nevojë të studiohen, të monitorohen dhe të ndiqen. Sot ky sektor është në krye të linjave, sektorëve për zhvillimin e vendit. Unë dua t’ju informoj ju se, me kontrata e firmosura me sektorin privat për ndërtimin e hidrocentraleve janë mbi 3.2 miliard euro të kontraktuara, ndaj dhe shërbimet më të mira në këtë fushë, janë të domosdoshme dhe ju keni mundësi tu ofroni këtyre kompanive të dhënat më të mira dhe më shpejt. Duhet t’ju informoj ju se, qeveria po bën gjithçka për të nxitur këto investime, ndërkohë veprimtaria juaj është shumë e rëndësishme, ju keni në dorë që me studimin që mund të bëni për to, ti ndihmoni të thjeshtoni kohën që ju duhet atyre, por dhe shpenzimet natyrisht, me çmimet më të ulta të mundshme, sepse në ofrojmë shërbime aty afër kostos, që të mos ju imponojmë atyre që të ndërmarrin vetë studime. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne monitorimi i kaskadave, tani ne kemi një kaskadë kryesore dhe një të vogël, por gjatë viteve që do të vijnë Shqipëria do të ketë me dhjetëra e dhjetarë kaskada, të cilat krahas prodhimit të energjisë dhe leverdisë së tyre të jashtëzakonshme ekonomike, mbartin në vetvete rreziqet që ju i njihni dhe që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm.

Të dashur miq

Ky institut duhet të jete dhe është një institut shërbimesh, shërbime ndaj tregut, shërbime ndaj universiteteve, shërbime ndaj qytetarëve, por ky institut para së gjithash duhet të jetë një institut kërkimor shkencor, ky institut duhet të jetë tempulli i kërkimeve studimeve për serioze në fushën e gjeoshkencës, natyrisht kjo kërkon sërish një hapje ndaj të gjithë atyre studiuesve në universitet dhe jashtë tij, të cilët sëbashku me ju duan të studiojnë problematika të ndryshme të kësaj fushe. Unë jam absolutisht dakord që numri i punonjësve të shtohet në përputhje me nevojat, por të mos harrojmë se në kërkimin shkencor rëndësi përcaktuese ka financimi i projekteve më të mira, mund të krijohen këto projekte në sektor tuaj dhe ato mund të vijnë dhe nga jashtë dhe unë shpresoj, që ju të jeni të hapur meqenëse këtu konstatova aparatura ndër më modernet, aparatura, të cilat i japin përgjigje të plotë problemeve të mëdha të gjeofizikës dhe problemeve të tjera.

Zoti Rektor

Instituti është një frymëzim për Universitetin Politeknik dhe për të gjitha universitetet e vendit për të inkurajuar kërkimin shkencor. Në çdo moment ne duhet të mbajmë parasysh, se forca jetësore e universiteteve qëndron në kërkimin shkencor, jashtë kërkimit shkencor universitetet humbasin fuqitë e tyre dhe shkojnë drejt zbehjes dhe zvogëlimit progresiv.

Unë e di që janë bërë hapa serioz, por prapë hapa të tjerë të mëdhenj duhet të bëjmë, në veçanti në drejtim të lirisë së kërkimit shkencor. Ne duhet të bëjmë gjithçka dhe duhet të jenë njësitë e fakulteteve dhe fakultetet, ato që duhet përcaktojnë projektet që duhen financuar. I kishim në një zyrë në ministri, i hoqëm nga ministria, nuk mund që ministria të përcaktonte të vendoste për projektin e një grupi studiuesish, të cilin duhet maksimumi ta përcaktonte Dekanati më këshillin e tij të profesorëve. Pra duhet të bëjmë gjithçka që të thjeshtojmë burokracinë në kërkimin shkencor, ta nxisim atë ne maksimumin e mundshëm. Unë ju garantoj zoti Rektor se qeveria shumë shpejt do të shqyrtojë normat e orëve të mësimit në universitet dhe do ti reduktojë ato në mënyrë, që pedagogët, asistentet, të kenë kohen e mjaftueshme për kërkime shkencore.

Vetëm një Shqipëri e bazuar mbi kërkimin dhe inovacionin do të mund të ketë ritmet më të larta të zhvillimit. Vetëm një Shqipëri e dijes do të mund të ketë ekonominë e vlerave të shtuara, e vlerave më të larta. Dhe njëherë ju uroj shumë suksese dhe gëzohem shumë që gjej një institucion kaq mirë të ekipuar dhe ju garantoj se qeveria nuk do të kurse asgjë, për të financuar ekipe dhe pajisje të tjera moderne në mënyrë që ju të qëndroni në lartësinë e kërkesave të kohës.

Faleminderit.


10/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›