Kryeministri Berisha priti në një takim arkitektin e mirënjohur Masimiliano Fuksas

Kryeministri Berisha priti në një takim kortezie arkitektin e mirënjohur Masimiliano Fuksas, që gjendet aktualisht në Shqipëri në një seri aktivitetesh në bashkëpunim më Bashkinë Tiranë.
Z. Berisha duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri z.Fuksas, e njohu atë me zhvillimet urbane dhe me potencialin e jashtëzakonshëm e qytetit të Tiranës në fushën e zhvillimit urban.
Z. Fuksas, duke vlerësuar figurën e kryeministrit Berisha si kyçe në raportin miqësor midis Shqipërisë dhe Italisë, konstatoi potencialin e jashtëzakonshëm që ka qyteti i Tiranës.
Kryeministri, duke theksuar që Tirana është një qytet që pret dhe kërkon të zhvillohet në ambicien e saj, e njohu arkitektin e shquar me ndryshimet në sheshin kryesor të kryeqytetit. Ai u ndal në një seri planesh dhe iniciativash dhe ndërhyrjes që kanë lënë shenjën e vet jo gjithmonë të mirë në këtë pjesë të qytetit. Ai theksoi faktin që planet e mëparshme nuk kanë arritur të adresojnë siç duhet çështjen e trafikut dhe transportit duke e çuar para 15 muajsh qytetin në prag të kolapsit në qarkullim. Simbolika e zgjedhur nga projekti fitues i konkursit për sheshin kryesor u cilësua si një simbolikë e gabuar që nuk reflekton vlerat e një shoqërie progresive por që rievokon simbolikën e piramidës së ish-diktatorit. Përkundrazi, hapja e sheshit qendror nga administrate e re, u vlerësua nga Kryeministri si një hap pozitiv por veçse fillimi i punës.
Z.Fuksas duke ndarë të njëjtën pikëpamje vlerësoi që konkurset nuk kanë qenë gjithmonë zgjidhja më e mirë për një qytet. Ai theksoi që në themel të një produkti të mirë është marrëdhënia midis arkitektit dhe shoqërisë që është klienti i vërtetë, në vend të marrëdhënies midis fituesit të konkursit dhe jurisë.
Kryeministri Berisha shtjelloi pikëpamjen që në themel të cilësisë së jetës së qytetit është marrëdhënia midis tregut të lirë dhe iniciativës private me kulturën e shoqërisë.
Në këtë kontekst, u shtjellua dhe iniciativa e fundit e Bashkisë Tiranë për të përqendruar në një zonë periferike aktivitetin e lojërave të fatit si një aktivitet që sipas kryeministrit jo vetëm që nuk sjell vlerë të shtuar në jetën e qytetit por përpin energji dhe kapitale që duhet të orientoheshin drejt zhvillimit.
Kryeministri e njohu bashkëbiseduesin dhe me disa iniciativa financimi të projekteve të rëndësishme për ekonominë e qytetit si parqet logjistike. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që duhet bërë ende shumë në aspektin e gjelbërimit për ta bërë qytetin më atraktiv. Madje Kryeministri evidentoi kërkesën që i ka bërë administratës lokale për të ndërtuar iniciativa ku përfshihen qytetarët në rritjen e sipërfaqeve të gjelbra në qytet.
Në fund, Kryeministri shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me arkitektin e njohur Fuksas në projekte zhvilluese për kryeqytetin.
10/10/2012