Ambasadori Uidhers: “Alarmuese përpjekjet për të bllokuar hetimin e Gërdecit”
Përpjekjet e Topallit, të nxitura në sfond nga kryeministri Berisha, për të zvarritur hetimet për heqjen e imunitetit të Mediut dhe hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, kanë marrë dje një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë nga ana e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Xhon Uidhers. Pas takimit me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Uidhers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi ambasadori Uidhers.
Ai theksoi se asnjë parti apo udhëheqës politik nuk duhet të ndikojë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit. “Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit”, - tha ambasadori Uidhers, i cili shprehu mbështetjen ndaj kryeprokurores Ina Rama. “Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit. Ambasadori e siguroi prokuroren e Përgjithshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. Qeveria e SHBA-ve nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
4 Qershor 2008