E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbani një luk si djemtë nëse keni shpirt rebel



Merita TOÇILA
Për ato që transmetojmë që në dukje një shpirt rebel, një luk si djemtë do të shkonte për mrekulli; jelek, një palë pantallona me tiranda, këmishë e bardhë. Kjo veshje që nuk njeh kohësi evokon periudhën e pinjollëve të kamur të viteve `30, por vathët dhe skarpinat e bëjnë shumë femërore këtë duke i dhënë një pamje androgjene, tepër në modë për këtë sezon. Një jelek i zi, i prerë bukur pas trupit, me pjetina të gjata dhe të ngushta, me xhepa dhe me jakë, pa i lënë asgjë mangut jelekut klasik mashkullor, jep pamjen e një vajze të mirëorganizuar. Prerja klasike e tij ju ndihmon ta ricikloni herë pas here me këmisha ose tee-shirt për të dhënë një siluetë më të dekontraktuar. Sipas çdo stilisti, këmisha e bardhë duhet të jetë veshja bazë e çdokujt në garderobë, ajo mund të jetë me modele nga më të ndryshmet, me jakë sport, jakë mao, “Piter Pan” ose ndonjë tjetër, mund të vijë edhe shumë femërore e trajtuar me shumë rrudha dhe e përgatitur me fiston fin nga anët, e zbukuruar me dantella ose kopsa të vogla dhe të lehta. Mund ta përdorni me mëngë të shkurtra dhe të gjata, por edhe kur është me mëngë të gjata, mjafton t’i përthyeni për t`u ndierë më të lirshme. Për të kompletuar këtë luk dendi të viteve `30, janë të paneglizhueshme pantallonat me tiranda. Me prerje të drejta, me material linoje, ose doku të lehtë, të pajisur me tiranda elastike të lëvizshme, ky model i jep një pamje retro siluetës suaj. Për ta thyer pak lukun bardh e zi, mjafton të ndërhyni me një palë vathë në stil barok, me ngjyrë ndryshe, duke i dhënë një paraqitje më të papërcaktuar dhe delikate. Sëfundi, shoqërojeni këtë veshje me skarpina pa e thyer aspak stilin djaloshar, por duke krijuar një surprizë të vogël. Pas vathëve, janë skarpinat ato që e përfundojnë kompletin duke e bërë tërësisht femëror dhe shumë elegante.
Nuk duhen lënë pas dore elementet folklorike në veshjen tuaj të përditshme; një shall me thekë, vargje të rëndë me rruaza druri ose guri, çanta të punuara me grep, jelekë të realizuar me paçuork (bashkime pjesësh të ndryshme), kopsat e mëdha dhe me ngjyra, etj. Një prekje e lehtë në ngjyrë, me një ornament të vogël, ose një aksesor i risjellë me një frymë të re, i jep një pamje krejtësisht të veçantë siluetës tuaj, shto edhe funksionalitetin e çdonjërit prej tyre. Të kombinuara këto, me veshje të thjeshta të stinës, iu kthejnë në qendër të vëmendjes. Një fustan në ngjyrë kumbulle, i lehtë dhe fluid, një fustan ideal për sezonin e nxehtë, me prerje të bukur, me ngjyrë të veçantë, por mbi të gjitha, i freskët dhe i rehatshëm. Mbi një fustan kaq të thjeshtë janë aksesorët që veprojnë për të përfunduar siluetën tuaj ditore. Një varg me rruaza të mëdha të vendosuara pa një rregull të caktuar në ngjyrë të murrme, të bëra nga material prej druri e të lidhura me nyje, (gjurmë nga folklori ndërthurrur me stilin e sotëm) është një bizhu e mrekullueshme për lukun tuaj. Një shall i lehtë në material mëndafshi me thekë, nuk duhet ta lini pas dore gjatë verës. Atë mund ta përdorni rreth qafës ose ta lidhni lehtas te vithet, flokët apo në dorezën e çantës verore. Edhe çanta do shkonte shumë me thekë për t`i dhënë një pamje boheme lukut tuaj. Sa për sandalet, ato janë të shumëllojshme në ngjyra dhe në modele, por ju duhet vetëm të bëni përcaktimin e duhur për t`iu përshtatur stilit tuaj. Për më tepër, sandalet iu sigurojnë rehatin e mundshëm deri në fund të ditës, të sheshta apo me taka qofshin. Ju mbetet vetëm të përzgjidhni!

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›