E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobëvënia, kërcënohet drejtori i një banke

Kërcënohet me jetën e tij dhe të familjes, drejtori i një banke të njohur në Shqipëri. Persona ende të paidentifikuar dyshohet se i kanë vënë syrin pasurisë së egjiptianit bankier, duke kërcënuar familjen së tij. Presioni konsiston në marrjen e 85 mijë eurove. Ngjarja e rëndë është ideuar në mes të Tiranës, ndërkohë që nga burimet e besueshme të policisë mësohet se egjiptiani Ehad Shukri Saad, me detyrë drejtor ekzekutiv i një banke, është marrë në mbrojtje, bashkë me gruan dhe vajzën e tyre. Kërcënimi ndaj tij ka ardhur nga mesazhe telefonike në celularin e të shoqes, ndërkohë që policia ka nisur punën për zbardhjen e kësaj gjobëvënie të rëndë edhe për faktin se i drejtohet një të huaji dhe bankieri rezident në vendin tonë.

Burime të besueshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës bënë të ditur se mëngjesin e djeshëm, është paraqitur në këto ambiente shtetasi i huaj, Ehad Shukri Saad, 43 vjeç, lindur në Kajro të Egjiptit dhe banues në rrugën "Muhamet Gjollesha", pranë stadiumit "Dinamo". Ky person ka deklaruar në polici se është me punë drejtor ekzekutiv i një banke të njohur në Shqipëri dhe se familja e tij ishte kërcënuar me jetë. Menjëherë, seksioni për mbrojtjen e lirisë së personit ka vlerësuar në maksimum këtë çështje dhe ka marrë kallëzimin e shtetasit egjiptian. I shqetësuar nga situata, ai ka shpjeguar se dy ditë më parë, rreth orës 15:00, gruas së tij, Almara Read, e cila ndodhej në shtëpi, i kanë ardhur tre mesazhe kërcënuese. Më tej, në denoncim ka shpjeguar se mesazhet ultimative janë çuar në numrin e saj të celularit 0692099... dhe të gjitha brenda një afati kohor prej 15 minutash. Sipas së njëjtës dëshmi, ai fillimisht nuk i ka vlerësuar këto mesazhe, por më pas është frikësuar, kur në një mesazh tjetër, është kërcënuar se nëse nuk dorëzonte shumën e kërkuar, do vrisnin atë, bashkëshorten dhe vajzën. Ndërkohë, në një mesazh tjetër shpjegohej se ata nuk duhet të njoftonin policinë, pasi ky do ishte një veprim fatal për jetën e tyre. Ndërsa në fund kanë kërkuar 85 mijë euro në shkëmbim të jetës së tyre. Menjëherë, policia ka vlerësuar në maksimum këtë ngjarje dhe mësohet se ka nisur punën për zbardhjen sa më të shpejtë të saj. Sipas të dhënave hetimore, është sekuestruar telefoni i gruas së drejtorit të bankës, është identifikuar numri kërcënues dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtë edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda, për veprën penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie".

Familja e egjiptianit,

në mbrojtje nga policia

Në të njëjtën kohë, policia ka marrë masa për mbrojtjen e familjes së zyrtarit egjiptian, duke vënë patrulla në mbrojtje të familjes. Burimet policore bënë të ditur se në mbrojtje të kësaj familjeje janë vënë edhe agjentë të antikrimit, të cilët po vëzhgojnë 24 orë pa ndërprerje. Nga ana tjetër, hetimi ka vijuar më tej me një kërkesë të prokurorit të çështjes, i cili ka kërkuar pranë një kompanie celulare për identifikimin e numrit, nga i cili janë nisur mesazhet kërcënuese për familjen e drejtorit të bankës. Kështu, pritet identifikimi i këtij personi dhe më pas shoqërimi i tij për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje. Gjithashtu, për provë materiale janë ruajtur edhe mesazhet kërcënuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›