E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pas anëtarësimit në NATO do të liberalizojmë vizat

Pas anëtarësimit në NATO, synimi ynë është liberalizimi i vizave. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e komitetit ndërministror të liberalizimit të vizave. Duke iu drejtuar të pranishmëve, ai vlerësoi se "ky është përfitimi i parë madhor i qytetarëve nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian". Qeveria shqiptare tërhoqi para pak kohësh nga Komisioni Evropian formularin e aplikimit për liberalizimin e vizave dhe i duhet të plotësojë kushtet që rrjedhin prej saj, që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve me dokumente të sigurta identifikimi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe mbrojtjen rigoroze të kufijve. Kryeministri u bëri thirrje ministrave gjatë mbledhjes së komisionit qeveritar për liberalizimin e vizave që të përqendrohen në përmirësimin e menaxhimit të institucioneve që drejtojnë. Gjatë muajit mars dhe prill, në vazhdim Shqipëria do të vizitohet nga grupe të ndryshme fakt mbledhësish, të cilët në maj do të paraqesin para komisionit të vlerësimit në Bruksel raportin e arritjeve të Shqipërisë, dokument i cili do të vendosë nëse shqiptarët do të lëvizin brenda këtij viti të lirë drejt Evropës, apo kjo do të shtyhet për një periudhë tjetër. "Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, gjithçka që është bërë nuk mjafton. Rëndësi kryesore këtu kanë ministrat e Punëve të Brendshme. Ndaj, zoti Nishani, është shumë e rëndësishme të intensifikohen takimet me të gjithë homologët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve anëtare", tha Berisha. Kjo sipas tij, me qëllim prezantimin e arritjeve dhe përpjekjeve tona në luftën kundër kriminalitetit, kundër korrupsionit, në kontrollin e integruar të kufijve, si dhe gatishmërinë tonë për të gjitha llojet e marrëveshjeve të ekstradimit dhe riatdhesimi me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që shkalla e sigurisë dhe e besimit ndaj shqiptarëve të rritet. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se heqja e vizave me Bashkimin Evropian, pas anëtarësimit të vendit në NATO, përbën objektivin e dytë më madhor të kësaj qeverie. "Liberalizimi i vizave është pjesë e procesit të integrimit, por për qytetarët shqiptarë kjo është ndoshta dhe pjesa më palcore e procesit të integrimit, pasi lëvizja e lirë e tyre në hapësirën evropiane është përfitimi i parë madhor dhe më kryesor që ata kanë nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian", u shpreh Kryeministri, duke vlerësuar se në këtë drejtim është bërë një punë serioze dhe e gjithanshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›