Pukë, bllokohen në majë të malit katër "fillrojtës"
Katër persona, tre nënoficerë të ushtrisë dhe një punonjës i "Albetelekomit", të cilët kryejnë shërbimin pranë stacionit të antenave në pikën e lartë të Midës në Pukë kanë mbetur të izoluar për dy ditë nga dëbora. Burimet policore bëjnë të ditur se rreth orës 15:00 të ditës së djeshme janë lajmëruar nga këta persona, se prej dy ditësh kanë tentuar të zbresin me mjetin që kanë në dispozicion, por dëbora e ka bërë të pamundur lëvizjen. Katër të izoluarit në antenat e Midës kishin dy ditë që kishin lënë turnin, por nuk po mundeshin të shkonin në banesat e tyre në Fushë-Arrës. Të ndodhur në këto kushte ata kanë sinjalizuar policinë. Menjëherë pas këtij lajmërimi policët e Shkodrës janë nisur drejt tyre me dy fuoristrada, por kalimi i mjeteve ka qenë i pamundur. Ndërkohë, Ndërmarrja e Rrugëve e lajmëruar nga policia ka dërguar një fadromë për heqjen e dëborës dhe lirimin e rrugës që të shpien në majën e Midës. Në vendin ku po punohet për hapjen e rrugës ka mbërritur dhe një autoambulancë për të qenë e gatshme në rast se ndonjëri nga personat e mbetur në majë të malit ka probleme shëndetësore për shkak të temperaturave shumë të ulëta që janë në atë zonë. Pamundësia për të hapur shpejt rrugën ka bërë që drejt Midës të shkonte dhe një helikopter, por tentativat për t‘u ulur në vendin ku ndodhen punonjësit kanë dështuar. Burime nga policia e Shkodrës thanë se me shpejtësinë që po ecet me hapjen e rrugës, katër personat do të mund të zhbllokohen sot.