E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Uillson: Ku çalon politika dhe institucionet shqiptare

EKSKLUZIVE/ Ambasadori i Britanisë së Madhe, Fraser Uillson, rrëfen për “Albania”-n misionin diplomatik në Shqipëri: përshtypjet dhe opinionet e tij për integrimin në NATO dhe BE, për paraqitjen e kërkesës për statusin e kandidatit, për shtetin ligjo

Ambasadori britanik, Fraser Uillson, po mbyll ditët e fundit të karrierës diplomatike në Tiranë, por nuk e fsheh gëzimin që Shqipëria pas pak ditësh do të bëhet pjesë e Aleancës ushtarake më të fuqishme të botës. Megjithatë, kjo nuk e pengon atë për të qenë kritik ndaj dukurive negative që vihen re te funksionimi i klasës politike apo institucionet në Shqipëri. Sipas tij, sfida më e madhe për shqiptarët dhe institucionet është funksionimi i shtetit ligjor. Akti më i rëndë për z. Uillson ishte përgatitja dhe miratimi në Kuvend i Ligjit të Lustracionit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, përfaqësuesi diplomatik i Britanisë së Madhe në Shqipëri jep pikëpamjet e tij për politikën shqiptare, për integrimin në NATO, për paraqitjen e kërkesës së anëtarësimit në BE, për sundimin e shtetit ligjor, për raportet mes institucioneve, etj. Diplomati britanik tregon në detaje edhe detyrat që ka Tirana zyrtare pas anëtarësimit të vendit në NATO. Ndërsa në lidhje me paraqitjen e kërkesës së anëtarësimit në BE, ai mendon se duhet të ndërmerret një hap i tillë pak më vonë, mbase pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai thotë se Tirana dhe Praga zyrtare duhet ta ndërmarrin këtë hap në momentin e duhur. Uillson nuk e fsheh shqetësimin për problemet që ka shteti ligjor në Shqipëri, por, sipas tij, këto mangësi duhet t’i kuptojnë vetë qytetarët e këtij vendi. Pasi e vlerëson të suksesshëm misionin e tij diplomatik në Shqipëri, ambasadori Uillson tregon për gazetën edhe pasardhësen e tij, e cila pritet të nisë punën në Tiranë gjatë këtyre ditëve.

Zoti Ambasador. Ju tashmë keni mbaruar misionin tuaj diplomatik në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet dhe a mendoni se ishte një mision i suksesshëm?

Është e vështirë që dikush të gjykojë për veten nëse pati një mision të suksesshëm. Por, unë do të thoja: Po, pata një mision të suksesshëm. Misioni ynë është që të ndihmojmë Shqipërinë që të ecë përpara. Siç mund ta dini, ne mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE. Për këtë arsye, qëllimi ynë është që të ndihmojmë Shqipërinë që t’i arrijë këto objektiva. Dhe mendoj se Shqipëria ka bërë përparime në shumë drejtime. Anëtarësimi në NATO do të ndodhë vetëm pas pak ditësh. Është një gjë që flet vetë. Dhe mendoj se kjo është gjë shumë e mirë. Nuk mendoj se kjo ka të bëjë me aktivitetin që kam bërë unë, por është ajo që Britania dëshiron të shikojë për Shqipërinë.

Cila është përshtypja juaj e parë në kontaktin e parë me qytetarin shqiptar? Po me politikanin shqiptar? A shihni ndryshime?

Edhe po, edhe jo. Ka ndryshime. Por një gjë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, pa dallim, është se janë shumë mikpritës dhe të dashur me të huajt. Dhe kjo është gjithmonë shumë e këndshme. Pikërisht kjo ishte përshtypja ime e parë kur erdha në Shqipëri. Takimet e mia të para me politikanët më treguan se cilat probleme ka Shqipëria. Disa nga këto probleme ishin politike; kishte edhe probleme të tjera, si ato të karakterit ekonomik. Por, mendoj se ideja që të ndash një klasë politike nga qytetarët e vet nuk është korrekte. Megjithatë, pashë se një pjesë e madhe e publikut ka pakënaqësi ndaj klasës politike. Dhe nuk e kam fjalën këtu për politikanë të një partie, apo një tjetre, por për të gjithë klasën politike. Kjo ishte përshtypja e parë dhe këtë e kam edhe sot. Mendoj se politikanët duhet të bëjnë më shumë për të gjeneruar besim te qytetarët.

Sa e ndien veten Britania e Madhe pjesë të suksesit që arriti Shqipëria duke u bërë anëtare e Aleancës Euro-Atlantike?

Mendoj se është e kundërta e kësaj që thatë ju. Britania, pa dyshim, është mbështetëse shumë e fortë e kësaj ngjarjeje. Por, gjëja më e rëndësishme është të shohim se çfarë bëri Shqipëria për të arritur deri këtu dhe mendoj se Shqipëria bëri shumë për ta merituar të qenit vend anëtar i NATO-s. Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë gjatë gjithë kohës në linjë me atë të vendeve anëtare të NATO-s. Shqipëria ka kontribuar me trupa në të gjitha misionet e NATO-s. A i ka arritur Shqipëria të gjitha reformat që NATO do të kishte dëshiruar? Përgjigja është: Jo, por ka ecur shumë përpara në këtë drejtim. Dhe e gjithë puna do të mbetet që e gjithë Shqipëria të integrohet plotësisht si nga ana politike, si nga ana ushtarake. Të enjten pashë që Parlamenti kaloi votat për ligjin e integrimit të vendit në NATO dhe ky ishte një moment historik. Gjatë gjithë karrierës sime nuk e kisha imagjinuar kurrë që Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s. Më mbetet që t’ju uroj shumë për këtë. Dhe jam i sigurt se ajo do të jetë një anëtare besnike e NATO-s.

Çfarë detyrash emergjente ka qeveria e një vendi që sapo bëhet anëtare e NATO-s?

Kuptohet se ka të drejta dhe përgjegjësi që dalin nga ky anëtarësim. Shqipëria e di mirë këtë, sepse plani i veprimit i është dhënë bashkë me të gjitha detajet. Nga ana ushtarake është nevoja për të ngritur një prezencë ushtarake dhe integrimin në të gjitha proceset ushtarake. Në anën politike, ka të bëjë me atë që politika duhet të jetë gjithmonë në linjë me politikat e NATO-s. Që tani, shumica e tyre janë në rrugën e duhur. Ka disa reforma që duhen bërë për të arritur kërkesat politike dhe këto janë diskutuar me shumë detaje. Njëra prej tyre është reforma zgjedhore; një tjetër është reforma gjyqësore. Ajo ka filluar, por mbetet shumë për të bërë. Ka edhe reforma të tjera. Do të përmendja edhe reformën në administratën publike. Por do të thosha se gjërat në përgjithësi po ecin në drejtimin e duhur, në mënyrë të rrjedhshme.

Ka një mendim që integrimi në NATO është më tepër shtysë që lidhet me faktorët e jashtëm, gjeopolitikën e momentit, dhe jo me reformat që ka bërë qeveria. Sa e vërtetë është kjo? Sa ka ndikuar ky faktor?

Ky është një element i rëndësishëm i tij.

Më i rëndësishëm se elementët e brendshëm?

Ajo që do të donte NATO-ja të shikonte në Ballkan motivon atë që ka ndodhur për momentin. Një mënyrë e mirë për të shmangur konfliktet e tjera në Ballkan është që të gjitha vendet e Ballkanit të sillen në një grup dhe një grup i tillë është NATO; një grup tjetër është BE-ja në perspektivë. Në kohërat e sotme është e paimagjinueshme që dy vende anëtare të BE-së të jenë në luftë. Duke i sjellë brenda një familjeje vendet e Ballkanit, është një mënyrë për të shmangur konfliktet në të ardhmen.

Kryeministri cek Topolanek ka deklaruar se një vend anëtar në NATO e meriton për të qenë vend kandidat i BE-së. A duhet të jetë kështu?

Unë mendoj se vende të ndryshme e shikojnë në mënyrë të ndryshme. Nuk mendoj se njëri mbështetet te tjetri. Por, e vërteta është që ne do të donim që statusi i vendit kandidat të merrej në një kohë jo shumë të largët. Por, gjëja më e rëndësishme për Shqipërinë është që të jetë gati për këtë status. Mënyra se si operon BE-ja është e tillë që kërkesat, të cilat duhet të plotësohen, janë shumë më strikte sesa ato për anëtarësimin në NATO. Mendimi ynë është që statusi i kandidatit është një qëllim që duhet konsideruar në një të ardhshme jo shumë të largët. Por, Shqipëria duhet të fokusohet te zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit; Të bëjë çfarë është e mundur që të plotësojë të gjitha kërkesat e saj. Raporti i Progresit e tregon qartë se çfarë duhet të bëjë.

Çfarë do të humbte Shqipëria nëse qeveria do të aplikonte gjatë presidencës çeke të BE-së?

Afati kohor ku jemi tani është interesant, sepse ka një proces në të cilin kalon aplikimi në statusin e kandidatit. Procesi normal është i tillë, këtë kërkesë e shqyrton Këshilli i BE-së (krerët e qeverive të BE-së), pastaj ajo kalon te Komisioni Europian për Avi, rikthehet sërish te Këshilli nëpërmjet një apo dy proceseve të tjera dhe pastaj merren vendimet. Por, ky është një proces shumë i gjatë. Dhe është shumë e rëndësishme se si e filloni dhe kur e filloni këtë proces. Pikëpamja ime është që do të ishte më mirë për Shqipërinë që ta linte për pak më vonë. Natyrisht, këtë vendim e merr qeveria shqiptare. Dhe ata duhet të bien dakord me presidencën e BE-së që është e përfaqësuar nga kryeministri cek. Pas kësaj do të fillojë procesi.

Kolegia juaj, ambasadorja çeke, zonja Fialkova, shprehet shumë e bindur se Shqipëria do të aplikojë gjatë presidencës çeke. Këtë ia ka konfirmuar edhe gazetës pak kohë më parë. Por dihet se disa përfaqësues të ambasadave të vendeve të rëndësishme të BE-së në Tiranë nuk e kanë miratuar faktin që të aplikohet tani. Sa larg kanë shkuar këto qëndrime dhe pse Çekia tregohet kaq e gatshme që Shqipëria ta mbyllë procesin e paraqitjes së kërkesës gjatë presidencës së saj?

Nuk mendoj se ka mosrënie dakord. Mendoj se është e rëndësishme që presidenca të jetë gati, kur të jetë koha e duhur; dhe aplikanti të jetë gati në kohën e duhur. Mund ta diskutojmë këtë. Duket pothuajse shumë qartë se Shqipëria do të kandidojë gjatë presidencës çeke. Por, ka shumë mundësi që të mos marrë përgjigje për një farë kohe pas aplikimit. Është e rëndësishme që Shqipëria të mos ndiejë se po trajtohet ndryshe nga të tjerët, sepse ajo do të trajtohet në të njëjtën mënyrë si edhe vendet e tjera. Por, vlerësimi do të bëhet në mënyrë të tillë që një vend që aplikon është gati për këtë status apo jo. Sepse është bërë e qartë që kushtet janë shumë-shumë strike.

Vendet e bllokut të BE-së kanë probleme të mëdha. Ka disa arsye të paraqitura si objektive për të ngrirë përkohësisht procesin. Në anën tjetër, ka një zell të Komisionarit Oli Ren që procesi të vazhdojë. Sa të kapërcyeshme janë këto motive objektive si kriza ekonomike, Traktati i Lisbonës, zgjedhjet në PE, etj. për t’i dhënë dritën jeshile integrimit të vendeve të rajonit në BE?

Mendoj se është e rëndësishme që çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së të mos shqetësohet për problemet e BE-së. Po. Është e vërtetë që ka pak mendime të ndryshme për procesin e zgjerimit. Janë çështje që kanë të bëjnë me kohën. A është koha për pranime të reja, apo jo? Por një vend që aspiron për anëtarësim nuk duhet të hutohet pas këtyre detajeve, por duhet të përqendrohet se çfarë do të bëjë ai vetë për të arritur aty. Nëse ai e bën këtë, e bën shumë më të lehtë që vendet që janë shumë pro anëtarësimeve të reja apo zgjerimeve të kenë argumente të forta për ta fituar këtë çështje. Sepse diskutime të tilla janë shumë të natyrshme brenda një organizate me 27 anëtarë. Gjëja më e rëndësishme për BE-në është për të arritur deri në marrjen e një vendimi.

Më ka bërë përshtypje leksioni juaj me studentët në Shkodër. Përshtypja e parë dhe thelbësore ishte se ju konstatoni se Shqipëria dhe shqiptarët duhet të bëjnë shumë punë për të vendosur shtetin ligjor. Sundimi i ligjit ishte edhe premtimi i qeverisë “Berisha” kur erdhi në pushtet në vitin 2005. Sa metra ose sa km ka bërë vendi ynë për të shkuar në pikën që kërkohet?

Të arrish suksese apo përparim në vendosjen e zbatimit të ligjit është gjithmonë e vështirë, sepse mbulon një numër të madh çështjesh. Shumë shpesh, kur njerëzit diskutojnë për reformën në Drejtësi, flasin për nxjerrjen e ligjeve të reja. Por, nuk është e vërtetë se kjo ka të bëjë vetëm me një gjë të tillë. Ajo që është thelbësore është që të ketë një sistem ligjor ku njerëzit të kenë besim; kur gjykatësi pasi merr vendimin, e shpjegon se përse e merr një vendim të tillë; një sistem, kur një vendim që merret zbatohet deri në fund; kur të drejtat personale mbrohen; kur korrupsioni trajtohet në mënyrë shumë të rreptë; kur nuk pyetet fare se nga vjen ky korrupsion dhe nuk merret parasysh fare se ky vjen nga sferat politike, apo nga radhët e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve, apo kujtdo tjetër. Ky është pikërisht sundimi i ligjit.

Çfarë note do t’i vinit zbatimit të ligjit nëse do ta vlerësonim në shkallë nga 0 deri te 10?

Unë nuk do të vija një notë për momentin sepse nuk do të ishte e drejtë që unë të bëja një gjykim të tillë. Por mendoj se është e rëndësishme se Shqipëria të kuptojë se ka mangësira në këtë fushë dhe ka nevojë reale që të merren me këtë problem.

SHBA, përmes ambasadës së saj, ka ofruar një mbështetje maksimale për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, sidomos në hetimin e dosjeve të mëdha, si ajo e “Gërdecit”, “Rruga Durrës-Kukës”, çështja “Fazlliç”, etj.. Nuk e di se cili është qëndrimi juaj. Më konkretisht, cilat janë raportet me Prokurorinë dhe a keni ofruar mbështetje në këto momente?

Ne nuk mbështesim individë të veçantë. Ne mbështesim pavarësinë e institucioneve. Në çdo vend duhet të ketë kontrolle dhe balanca. Këto ndryshojnë nga vendi në vend. Në Shqipëri janë gjykatat e pavarura, prokurori të pavarura. Në pikëpamjen tonë, është thelbësore që kjo pavarësi duhet të ruhet. Ne nuk jemi përfshirë në ndonjë nga çështjet specifike që ju përmendët. Por ne kemi bashkëpunuar me prokurorinë në një sërë çështjesh që janë të rëndësishme për ligjin dhe rendin. Sepse mendoj se organet e zbatimit të ligjit duhet të punojnë me organe të tjera të zbatimit të ligjit. Për shembull, ne patëm në Shqipëri drejtorin e Prokurorisë së Përgjithshme Britanike që vizitoi Shqipërinë. Po ashtu, kryeprokurorja shqiptare vizitoi Britaninë me ftesën e partnerit të saj. Ne mendojmë se kontakte të tilla janë shumë të rëndësishme.

Zoti Uillson. Ju keni qenë ndër përfaqësuesit diplomatikë që keni kontestuar që në fillim të diskutimeve dhe më pas, në miratimin nga deputetët, Ligjin e Lustracionit. Qeveria dhe mazhoranca aktuale mbajtën të njëjtin qëndrim deri në fund. A mendoni se kjo mazhorancë nuk i mori në konsideratë konstatimet e partnerëve të saj në Tiranë, të përfaqësuar përmes jush, kolegëve tuaj, apo edhe përfaqësuesve të organizmave të tjerë ndërkombëtarë? Si e motivoni një këmbëngulje të tillë të saj për ta miratuar?

Mendoj se kjo është një çështje që në Shqipëri gjykohet si shumë e rëndësishme, sepse çdo vend duhet t’i rregullojë llogaritë e veta me historinë që ka pasur dhe ne duhet të vendosim se cila është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Prandaj, ne nuk kemi qenë asnjëherë kritikë në lidhje me atë se për çfarë arsyeje është bërë ligji. Ne ishim të shqetësuar me disa pika që përmbante drafti, i cili më pas u bë ligj. Mbeta pak i habitur kur diskutova edhe me njerëz që nuk kanë qenë përkrahës të qeverisë në lidhje me çështjen, por edhe ata nuk e kuptonin se ku qëndron kritika jonë ndaj këtij ligji. Kjo na çon prapë te çështja e sundimit të ligjit. Ne mendojmë se asnjë ligj nuk mund të krijohet dhe kalohet kur vetë ai ligj nuk respekton ligjin më madhor, në rastin konkret, Kushtetutën e Shqipërisë. Disa njerëz më kanë pyetur: Po në qoftë se situata është kaq serioze, përse nuk mund ta bëjmë këtë? Përgjigjja ime ka qenë: Nuk mund ta bëni se kjo shkatërron zbatimin e ligjit, pra sundimin e tij, sepse, nëse filloni ta bëni këtë, ju dëmtoni demokracinë. Dhe kjo është diçka që asnjë vend nuk duhet ta bëjë.

Pra, ju thoni se nisma e mazhorancës shkatërron demokracinë?

Mendoj se kur duhet të bëni një zgjedhje midis asaj që iu duket moralisht e drejtë apo ligjërisht e drejtë, atëherë duhet bërë një kompromis. Por ky kompromis nuk duhet të thyejë asnjë ligj e veçanërisht Kushtetutën. Por, nëse mendoni se është shumë-shumë i rëndësishëm ky ligj, atëherë duhet të ndryshoni Kushtetutën. Por, ndryshimi i Kushtetutës nuk mund të bëhet pa pasur një mendim shumë-shumë të thelluar dhe diskutime të gjera. Vetëm pas kësaj mund të ecni përpara në një rrugë që është edhe moralisht e drejtë, edhe ligjërisht e drejtë.
Por, është mirë që ky ligj, tani ka kaluar te Gjykata Kushtetuese, i është çuar Komisionit të Venecias për këshillim dhe shpresoj se kjo do të çojë në një rikonsiderim se cila është zgjidhja më e mirë për të ecur përpara.

Në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në qershor, çfarë rëndësie do t’i kushtojë Britania e Madhe, si vend i Bashkimit Europian, procesit të monitorimit? Do të jetë në të njëjtin nivel me zgjedhjet e tjera, apo jo?

Mendoj se do të ketë disa nivele monitorimi. Dhe kjo është e rëndësishme. Me siguri, Shqipëria do të arrijë një stad ku monitorimi do të jetë më pak i nevojshëm sesa tani, por akoma nuk është në atë fazë.

Megjithëse ka një interes të madh të firmave britanike për të ardhur në Shqipëri, realisht në treg ka një perceptim dhe të dhëna se ka një prani të vogël. Kjo vjen nga fakti se ato nuk janë të interesuara për tregun, apo se ato nuk gjejnë ende një klimë të përshtatshme për investimet?

Mendoj se është një përzierje e të dyjave. Vetë Shqipëria është një treg relativisht i vogël. Dhe kompanitë që do të investonin do të donin që ta zgjeronin këtë treg sa më shumë dhe ndoshta për këtë ato do të shikonin në një aspekt më rajonal sesa Shqipëria. Ka kompani që do të donin ta bënin këtë. Por realisht ka probleme. Problemi i pronësisë është një nga më kryesorët. Në qoftë se dikush është në biznesin e turizmit dhe do të ndërtojë një hotel, apo dikush tjetër do të ndërtojë një fabrikë, gjëja e parë është të dijë se kush është pronari i tokës. Dhe nëse ka konfuzitet për këtë, kjo i bën investitorët pak nervozë. Ka disa probleme në sistemin ligjor. Investitorët duan që të sigurojnë se nëse do të kenë një problem ligjor, në gjykatë do të merrnin zgjidhjen e duhur. Siç e kam thënë edhe më parë, ka probleme në këtë aspekt. Investitorët britanikë dhe të tjerët do të bënin pyetjen se përse do të bënin një zgjedhje të tillë për të investuar në Shqipëri, kur këto probleme nuk do t’i kishin në një vend tjetër. Por, edhe pse i thashë këto, mund të them se ka një konsorcium zvicerano-britanik që ka interes në Portin e Vlorës (Zumax, kompani zvicerane, me interes britanik). Ky do të ishte një investim madhor dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ka edhe disa kompani britanike të interesuara për turizmin. Por, le të presim dhe të shohim.

Së fundi, në çfarë detyre do të caktohet zoti Uillson pas largimit nga Tirana dhe, nëse është e mundur, të na bëni një prezantim të shkurtër të ambasadorit të ri të Britanisë së Madhe që pritet të vijë në Shqipëri?

Pas kësaj, unë dal në pension dhe jam i kënaqur që misioni im i fundit ishte në një vend ku unë ia kam kaluar mirë, jam kënaqur. Pra, do të përfundoj punën time në diplomaci njëkohësisht, do të përfundoj misionin tim në një vend kaq të mrekullueshëm si Shqipëria. Në lidhje me pasardhësen time, ajo është grua. Vjen nga Londra. Ka eksperienca të mëparshme në Ballkan, sepse ka punuar në Sarajevë dhe Banja Luka dhe ka eksperiencë pune edhe në vende të tjera. Jam i sigurt se edhe ajo do të kënaqet në Shqipëri sa edhe unë.

Intervistoi: Albert Gjoka

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›