E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shkel ligjin për partitë politike, emërimet në parti, nga lart-poshtë

PD-ja dështon të respektojë votimin sipas parimit “një anëtar, një votë”. Kryetarët e degëve, por dhe delegatët, po emërohen nga lidershipi

Eljona Ballhysa
Zgjedhjet në Partinë Demokratike nuk po zhvillohen sipas parimit “një anëtar një votë”, parim i cili u premtua se do të zbatohej nga vetë kryetari i partisë në vitin 2005.
Edhe në mbledhjen e kryesisë së vogël të PD-së, e cila u zhvillua dy ditë më parë, larg syve të medias, mësohet se kjo temë nuk është diskutuar nga lidershipi. Deputetë të kësaj partie shprehin pakënaqësi për moszbatimin e një parimi të tillë, i cili është standard i demokracisë në çdo parti europiane. Deputetë të PD-së shkojnë më tej duke pohuar se kryetari i partisë dhe grupi i njerëzve të afërt të tij po shkelin ligjin për partitë politike, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas tyre, zgjedhjet në degët e PD-së po zhvillohen në kushtet e mungesës së transparencës, ku kryetarët nuk po zgjidhen, por po emërohen nga kryetari dhe kryesia e vogël. Madje, sipas tyre, edhe delegatët, që supozohet se do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e degës, janë “parablerë”.
Ligji
Kryeministri Berisha duket se e ka harruar Nenin 6 të ligjit për partitë politike në Shqipëri. Në këtë nen theksohet se nuk lejohet krijimi i partive politike në Shqipëri dhe veprimtaria e tyre në rastet kur organizimi i brendshëm i saj është në kundërshtim me parimet demokratike, siç është ndërtimi nga poshtë-lart i partisë dhe zhvillimi i zgjedhjeve të brendshme demokratike për forumet e partisë, ku çdokush ka të drejtën e mendimit dhe të shprehjes. Ky ligj është miratuar në fillim të viteve ’90, atëherë kur Shqipëria doli nga një regjim totalitar, ku emërimi i drejtuesve të partisë sipas parimit nga lart-poshtë ishte traditë e partisë së punës.
Zgjedhjet
Partia Demokratike pothuajse ka përmbyllur procesin zgjedhor për kryetarët e degëve në shumicën e qyteteve të vendit, ndërkohë që kanë mbetur pa u zgjedhur vetëm krerët e degëve kryesore dhe Tirana. Zgjedhjet janë zhvilluar krejt ndryshe nga sa parashikohet në statutin e PD-së, që për të zgjedhur kryetarët e degëve duhet që propozimet e bazës të shqyrtohen nga Kryesia qendrore. Kryesia qendrore nuk është mbledhur asnjëherë gjatë gjithë këtij procesi zgjedhor dhe nuk ka marrë në shqyrtim asnjë emër kandidati. Më e pakta që mund të ketë ndodhur është mbledhja e kryesisë së vogël, ku bëjnë pjesë vetëm 5 anëtarë të PD-së, të cilët vendosin për gjithçka ndodh në selinë blu. Madje deputetët shprehin habi për çfarë ndodh në degën e PD-së në zonën e tyre elektorale, pasi vetëm një ditë para zgjedhjeve janë njohur me emrin e kandidatit zyrtar, ndërkohë që në shumicën e rasteve baza ka propozuar dikë tjetër. Deputetët shpresojnë që të paktën për degën e PD-së së Tiranës të mos ndodhë e njëjta situatë. Gara për kryeqytetin është mjaft e rëndësishme jo vetëm se dega e PD-së së Tiranës është më e madhe, por edhe për faktin se Tirana ka numrin më të madh të deputetëve dhe është përcaktuese për fitoren ose jo të zgjedhjeve parlamentare. Në garë për kreun e PD-së së Tiranës janë një numër i madh kandidatësh, midis të cilëve edhe Besnik Mustafaj, i e cili ka shpallur me kohë kandidaturën e tij. Por, deri tani nuk ka asnjë vendin të strukturave të PD-së për procesin zgjedhor në kryeqytet, ndërkohë që njerëz të afërt të kryetarit Berisha kanë dhënë sinjale se kandidatura e Mustafajt nuk do të merret në konsideratë nga Kryesia. Sipas burimeve pritet që Kuvendi i degës së Tiranës të mblidhet në fund të muajit të ardhshëm.

Ligji për partitë politike

Neni 6
Nuk lejohet krijimi i partive politike ose veprimtaria e tyre kur:
ç) kur organizimi i saj i brendshëm është në kundërshtim me parimet demokratike, si: ndërtimi nga poshtë-lart i partisë, zgjedhjet e brendshme demokratike për forumet e partisë, e drejta
e shprehjes së mendimit për çdo anëtar, liri hyrje dhe dalje nga partia, deklarim dhe lejim i kontrollit në përdorimin e burimeve
dhe mjeteve financiare.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›