E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria rrit numrin e fëmijëve të punësuar në vend



Jonida Tashi

Rritet numri i fëmijëve që vështirësia ekonomike i ka bërë pjesë të tregut të zi të punës. Një studim i Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHP) tregon se shifra e punësimit të fëmijëve është rritur me rreth 8.2 për qind. Më së shumti, këta fëmijë janë të punësuar në bare apo restorante. Sipas studimit të ISHP-së, më shumë fëmijë janë të punësuar pa ekzaminimet shëndetësore. Gjithashtu, studimi evidenton se përqindja më e lartë e fëmijëve që punojnë janë të përqendruar në sektorët e prodhimit, si në atë të veshjeve dhe këpucëve, si dhe në sektorin e peshkimit.
Sektorët
Në prodhimin e veshjeve, pjesën më të madhe e zënë vajzat nën moshën 18 vjeç që për vitin 2007 janë 76.6 për qind, ndërsa për 2008-n ka një ulje në 52.8 për qind. Fusha e dytë është peshkimi apo përpunimi i peshkut, ku konstatohet se për vitin 2007, 12 për qind e të punësuarve kanë qenë fëmijë, ndërsa për vitin 2008 rezultojnë 23.9 për qind fëmijë. Inspektorati Shtetëror i Punës, në bashkëpunim me sindikatat e FSASH e SPASH, organizuan paraditen e djeshme tryezën mbi “Bashkëpunimin e ISHP-së dhe sindikatave për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve”. Duke marrë shkas nga situata aktuale e punësimit të fëmijëve, Inspektorati i Lartë Shtetëror i Punës ka premtuar përmirësim të mëtejshëm të legjislacionit përsa i përket parandalimit të punës nga fëmijët nën moshën 18 vjeç.
Parandalimi
Kryeinspektori Thoma Melo tha se synimi është që fëmijët nën këtë moshë, pavarësisht kushteve të vështira familjare apo faktorëve të tjerë, nuk duhet të punojnë, ashtu siç ndodh, sipas tij, në vendet europiane. “Përfitimet nga parandalimi i punës së fëmijëve janë shtatë herë më të larta sesa kostot nëse ata do të prodhonin. Nëse ne fëmijëve do t’u japim arsim, përfitimi që do të kemi nga ata do të jetë shumë herë më i madh sesa po t’i çojmë të punojnë në ato ndërmarrje ku kushtet e punës nuk janë në ato nivele që ne do të shpresonim. Në shumë vende të Europës është e ndaluar plotësisht që të punojnë fëmijët, as me leje, as pa leje. Për këtë, kryeinspektori Melo ka premtuar se një parim i tillë do të njihet edhe në vendin tonë.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›