Reforma zgjedhore/Aleanca Demokristiane propozon ngritjen e “Tryezës së Partive të Vogla” për ndryshimet në Kod

Partia Aleanca Demokristiane e gjykon të domosdoshme rishikimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it, në mënyrë që Kodi Zgjedhor të jetë i aplikueshëm për një të ardhme demokratike të vendit. Kreu i kësaj partie Zef Bushati u shpreh dje gjatë një komunikimi me mediat se Kodi Zgjedhor duhet të jetë pjesë e një reforme të gjerë, e cila duhet të nisë me një diskutim ku të përfshihen të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal e më tej propozimet e “Tryezës së Partive të Vogla” t’i dërgohen Parlamentit për një diskutim dhe miratim institucional sa më shpejt që të jetë e mundur. “Partia Aleanca Demokristiane shpreh bindjen se edhe zgjedhjet lokale, e veçanërisht në Tiranë, treguan qe kuadri zgjedhor duhet të reformohet, te gjitha mangësitë në kuadrin ligjor dhe në procesin zgjedhor duhet të trajtohen në mënyrë gjithë përfshirëse, efikase dhe konsensuale nëpërmjet një reforme të plotë zgjedhore, në përputhje me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Për këtë qëllim ADK-ja pret vlerësimin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit 2011, që edhe ato të përfshihen në reformën zgjedhore”- deklaroi Bushati. Sipas tij, nisma për të thirrur “Tryezën e Partive të Vogla”, dhe bashkëpunimi i kësaj tryeze me dy partitë e mëdha PD e PS, duhet të mbështetet nga të gjitha palët në Shqipëri si pjesë e një përpjekje serioze për të tejkaluar vështirësitë e vërejtura gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
“Aleanca Demokristiane mendon se tani që zgjedhjet kanë mbaruar është koha që forcat politike në Shqipëri të kapërcejnë bllokimin politik dhe dialogu politik të kthehet në një nivel që do të lejonte funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike ne vend, sidomos funksionimin e parlamentit. Aleanca Demokristiane i vlerëson pozitivisht rekomandimet që ka formuluar OSBE/ODHIR në ndihmë të procesit të reformimit të Kodit Zgjedhor, të cilat janë dhe fillimi i bashkëpunimit drejt sfidave të tjera kryesore, të cilat duhet të ndiqen në mënyrë efektive dhe përfshirëse, në mënyrë që të arrihet përparim në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE”- thotë me tej kreu i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati.