E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriminelët e huaj në Greqi, shqiptarët zënë vend të parë

Takimi Sipas ministrit grek, ata vijnë posaçërisht për aktivitet kriminal

Kriminelët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të të huajve të implikuar në Greqi. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm grek, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, ku u takua me Kryeministrin, ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë. Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë, Mihalis Krisohoidhis, deklaroi se për fat të keq më duhet të pranoj se vitet e fundit është shtuar kriminaliteti në radhët e të huajve në Greqi, pa përjashtuar që në këto rrjete kriminale marrin pjesë edhe grekë. “Në shumë raste në krye të rrjeteve janë grekë që ndiqen nga të huaj. Fenomeni i kriminalitetit ka njohur rritje, është ngritur në stadin e krimit të organizuar. Ka elementë shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë përfshirë në nivele të rëndësishme në fenomenin e përgjithshëm të kriminalitetit në Greqi. Meqenëse shqiptarët përbëjnë përqindjen më të madhe të emigrantëve në total në Greqi, edhe ata që bëjnë pjesë në veprimtari kriminale përbëjnë numrin më të madh”, tha ministri grek. Më tej, ai deklaroi se ka rrjete të organizuara kriminale që veprojnë në Greqi dhe në Shqipëri, sepse në vendin tonë tentojnë të pastrojnë para dhe nga këta që marrin pjesë në këto rrjete kriminale nuk janë punonjës emigrantë në kuptimin klasik të fjalës, janë elementë kriminalë që kanë ardhur në Greqi vetëm për të kryer veprimtari kriminale. Ai shtoi se këtë fenomen duam ta eliminojmë. “Jam i lumtur të them se bashkësia e shqiptarëve në Greqi, emigrantët shqiptarë në Greqi, janë njerëz punëtorë, që kanë arritur sukses, janë krijues, janë rezultativë qoftë për ekonominë e Greqisë, qoftë për Shqipërinë dhe përbëjnë element zhvillimi për vendin. Kemi një sërë profesionesh në Greqi që ushtrohen ekskluzivisht nga qytetarë shqiptarë, si profesionet teknike. Tani po futen edhe në tregti, ashtu sikundër fëmijët e emigrantëve kanë vazhduar shkollën, kanë mbaruar universitetin dhe punojnë tani në sektorë të ndryshëm të vendit tonë”, tha ministri Krisohoidhis.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›