Ambasadori amerikan në Maqedoni takohet me kandidatë presidencialë
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Philip Reeker u takua dje në Tetovë liderët dhe kandidatët presidencialë të BDI-së, PDSH-së dhe Demokracisë së Re për t'u transmetuar mesazhin e sekretares së Departamentit amerikan të Shtetit, Hillary Clinton dhe presidentit Barack Obama se këto zgjedhje ishin të një rëndësie shumë të madhe për të ardhmen e Maqedonisë.
"Eshtë e drejtë legjitime që çdo qytetar të presë zgjedhje korrekte dhe të lira dhe të ketë mundësi të votojë i lirë dhe t'i zgjedhë kryetarët e komunave dhe presidentin", tha Reeker. Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Imer Selmani i premtuan ambasadorit amerikan se do të bëjnë përpjekje maksimale që zgjedhjet e ardhshme të ishin të lira, korrekte dhe demokratike. Ali Ahmeti theksoi se si edhe në të kaluarën, ashtu edhe tani ata si parti do të angazhohen për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Ambasadori amerikan u takua edhe me gjashtë kandidatët shqiptarë për kryetar komune në Tetovë. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do te mbahen në Mal të Zi më 29 mars, merr pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi. Kryetari i saj, Mehmet Bardhi thotë se këto zgjedhje janë nje llogaritje e partisë në pushtet për të zgjatur mandatin qeverisës. Ndërkohë, sipas zotit Bardhi, edhe në këto zgjedhje, partitë shqiptare ka të ngjarë të mos dalin të bashkuara, gjë që zvogëlon hapësirën e tyre për përfaqësim në parlamentin e Malit të Zi.