MSH: penalizohen mjekët që sregjistrojnë pacientët
Të gjithë mjekët që nuk regjistrojnë pacientët e tyre, tani e tutje do të përballen me penalizime të rënda. Plotësimi i dokumentacionit të saktë dhe të qartë për çdo pacient, i cili i drejtohet spitalit për të marrë ndihmën e specializuar do të jetë i detyrueshëm për të gjithë mjekët.
Nëse konstatohet e kundërta, atëherë bluzat e bardha do të penalizohen duke iu hequr të drejtën për të zhvilluar vizita. Kjo masë detyruese ligjore do të fillojë të aplikohet menjëherë pas fillimit të reformës, që parashikon futjen e spitaleve plotësisht në skemën e sigurimeve shëndetësore. Burime pranë drejtorisë së Qendrës Universitare Spitalore Nënë Tereza bënë të ditur se të gjithë ata mjekë që do të bëjnë shkelje të kësaj natyre do të penalizohen. Por rregullorja e re parashikon edhe bonuse. Të njëjtat burime sqarojnë se nëse puna e tyre do të ecë normalisht, me anë të të ardhurave dytësore që do të grumbullohen nga këto vizita, do të ketë edhe rritje të pagesave. "Punonjësit do të marrin një pjesë të të ardhurave dytësore të spitalit dhe do të kenë stimul, për të sistemuar konsultat, nga ana tjetër, do të ketë paga më të larta. Por, kërkesa e llogarisë do të jetë gjithashtu më e lartë, pasi të gjithë duhet të justifikojnë pagat me punën që bëjnë", kanë sqaruar veç të tjerave drejtuesit e QSUT-së. Me futjen e spitaleve në skemë, të gjitha të ardhurat dytësore do të menaxhohen nga vetë spitalet, dhe vitin e kaluar për spitalin më të madh në vend, QSUT-në, këto të ardhura dytësore ishin 150 milionë lekë të rinj. Shumë, e cila është pothuajse sa gjysma e buxhetit të akorduar nga qeveria, ndërkohe që pjesa më e madhe e konsultave nuk është regjistruar, gjë që ka sjellë një dëm të madh ekonomik.