EULEX rinis gjykimin në veri
EULEX-i zhvilloi seancën e parë gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës. Kjo seancë qe shtyrë të hënën, pasi serbët bllokuan hyrjen në gjykatë. Beogradi zyrtar u ka kërkuar serbëve të Mitrovicës që të lejojnë punën e EULEX-it. Një panel prej tre gjykatësve dhe një prokurori të EULEX-it ka rinisur dje seancën gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, të shtyrë dy ditë më parë, për shkak të protestave të serbëve.
Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në kuadër të EULEX-it, Kristina Herodes, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nisjen e procesit gjyqësor kundër dy serbëve të akuzuar se kanë kryer plaçkitje të rëndë në Leposaviq, dy vjet më parë. Seanca gjyqësore nuk qe anuluar, por qe shtyrë të hënën dhe ajo është zhvilluar normalisht. Me nisjen e seancës gjyqësore nënkuptohet se ne po sjellim drejtësinë në vend, ka thënë zëdhënësja Kristina Herodes. Qytetarët serbë në Mitrovicë kishin penguar të hënën nisjen e këtij procesi, duke kërkuar së pari të zgjidhej çështja e funksionimit të drejtësisë në veri në kuadër të planit 6-pikësh. Të mërkurën nuk ka pasur protesta jashtë objektit të Gjykatës së Qarkut dhe është raportuar se seanca është zhvilluar në kushte normale. Politikanë serbë të Mitrovicës njoftojnë se EULEX-i është lejuar të zhvillojë këtë seancë, meqë një gjë e tillë është kërkuar nga Beogradi zyrtar. I ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe të Kosovës thotë se tubimi i punonjësve serbë të drejtësisë është ndaluar nga Beogradi zyrtar. Ky Kuvend e cilëson këtë veprim të Beogradit si një thikë pas shpine për serbët lokalë, i cili lejon, siç thuhet, krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan. Ky organ paralel konsideron se fillimi i punës së EULEX-it me ligje të shtetit të Kosovës është në kundërshtim me planin gjashtëpikësh. Serbët në veri kanë kërkuar nga EULEX-i që në gjykatat që gjenden në veri, të mos i përdorë ligjet dhe vulat e Republikës së Kosovës.