E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Çaushi i paraqet kredencialet Tadiçit në Serbi

Beograd, 29 janar, NOA - Ambasadori i emëruar
i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, në një ceremoni të posaçme i ka paraqitur
presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, letrat e tij kredenciale. Me këtë rast, përfaqësuesi
shqiptar e ka siguruar presidentin Tadiç për vullnetin e mirë që sipas tij
qeveria shqiptare ushqen mbi përparimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të
bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve tona. Nga ana e tij, presidenti serb shprehu bindjen se pala serbe ndan të njëjtin
mendim se të dy shtetet gjenden në një moment kyç të marrëdhënieve dypalëshe.

Ndër të tjera, ai theksoi se zhvillimi i tyre
do të merrte një impuls të ri me nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve, të cilat
do ti shërbenin jo vetëm interesit reciprok të vendeve, por edhe si shembull
inkurajimi për mbarë rajonin, për stabilitetin e prosperitetin e tij.

Më tej, presidenti Tadiç shtoi se BE është
objektivi strategjik i përbashkët i të dy vendeve dhe se bashkëpunimi në këtë
drejtim do të ketë rendësi të veçantë, pasi vizioni për një të ardhme të
rajonit në familjen e kombeve evropiane i shërben edhe forcimit të
marrëdhënieve dypalëshe.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›