Duam fotokopje të fletëve të votimit
G99
Ligji për të drejtën e informimit përdoret si manovra e radhës për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Bazuar te dispozitat e këtij ligji dhe te Kushtetuta, G99 ka gjetur një zgjidhje origjinale për të pasur mundësi që të shohë se çfarë ka ndodhur, sidomos në kutitë ku dyshohet se ka parregullsi. Kjo lëvizje, bazuar te ligji për të drejtën e informimit, dorëzoi dje pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për t’iu vënë në dispozicion kopje të fletëve të votimit. Bazuar tek e njëjta rrugë që disa organizata politike ndoqën në rastin e Floridës në Shtetet e Bashkuara, G99 duke iu referuar të drejtës për informim, ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion fotokopje të fletëve të votimit dhe sipas saj kjo është një e drejtë, përderisa fletët e votimit nuk janë dokumente të klasifikuara si sekret shtetëror. “Ky është një shembull jo i panjohur, pasi ka ndodhur edhe në Florida, ku pati një angazhim për rinumërim apo qoftë edhe për kërkime shkencore”, u shpreh kreu i G99, Erjon Veliaj, i cili bashkë me disa drejtues të tjerë dorëzoi kërkesën pranë zyrës së protokollit në Komisionin Qendror.
#