Rama: Kriza, në kutitë e votimit
Kryetari i opozitës shigjeton edhe LMN-në e Blushit: Flasin në emër të opozitës, me gjuhën e Saliut
Topalli: KiE dënoi bojkotin e opozitës
Pozita dhe opozita e kanë lexuar me versionet e tyre rezolutën e Këshillit të Europës dhe debatin e zhvilluar dje. Kreu i opozitës e përktheu si një mbështetje për Partinë Socialiste dhe kauzën e saj të hetimit dhe transparencës së zgjedhjeve. Sakaq, Kryetarja e Kuvendit dhe deputetë të djathtë vunë theksin te fakti se KiE u shpreh kundër bojkotit të opozitës.
Opozita
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje menjëherë pas miratimit të rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Rama falënderoi gjithë grupet parlamentare të kësaj asambleje për mbështetjen që i dhanë opozitës, ndërsa deklaroi se protestat dhe bojkoti do të vijojnë deri në arritjen e dialogut.
“Rezoluta e Këshillit të Europës, e miratuar pak orë më parë, është e qartë: Shqipëria është në krizë politike. Kriza për ne është brenda në kutitë e votimit. Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës. Por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza”, tha Rama. Ai shtoi se “i falënderoj në emër të PS-së dhe të gjithë popullit opozitar, të gjitha grupet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për mbështetjen që i dhanë vendit, duke vënë gishtin në plagë përmes miratimit të rezolutës së sotme dhe rrëzimit të amendamenteve vulgare të Partisë Demokratike. Ato po, ishin një sjellje politike që e turpëron Shqipërinë në tempullin e demokracisë europiane”. Në dallim me qëndrimin e demokratëve, i pasqyruar në një prej amendamenteve të propozuar, Rama bëri me dije se mirëpret njëkohësisht përfshirjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e krizës, siç thotë edhe rezoluta.
“Beteja jonë për demokracinë vazhdon sot edhe me më shumë bindje e forcë se dje”, tha ai. I sapo kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama shigjetoi edhe vizitën e deputetëve socialistë, Blushi, Harasani e Islami në Bruksel, duke i akuzuar indirekt se flasin me gjuhën e Saliut. “Sali Berisha duhet ta ketë të qartë njëherë e mirë se as e nënshtron dot duke e sulmuar si i marrë, as e blen dot duke ofruar thasë parash të pista, as e shkurajon dot duke bashkëpunuar me njerëz të veçantë që flasin në emër të opozitës me gjuhën e Saliut”, vijoi ai. Sipas tij, pushteti i paskrupullt i Berishës meriton vetëm protesta, duke e konsideruar atë një Esat Toptan të veshur me dopiopet që pushtetin e do vetëm për të sunduar, përfituar dhe përvetësuar, duke e çuar korrupsionin deri në nivel katastrofash kombëtare si në Gërdec, Kalimash, Fierzë apo ndjellë fatkeqësi të pariparueshme për këtë komb, siç do të ishte edhe hyrja në fuqi e marrëveshjes për kufijtë me Greqinë. Rama dënoi ashpër gjuhën e përdorur nga mazhoranca kundër sekretares për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, duke paralajmëruar se akuza e radhës do të përballet me padinë e radhës. “Ndërsa sot, Sali Berisha nxori gjuhën për të ndotur me baltën e akuzave të tij kriminale sekretaren ndërkombëtare të partisë, për faktin se po dëshmon në Këshillin e Europës të vërtetën e hidhur të krizës së demokracisë në Shqipëri. Padyshim që një tjetër padi e pret për akuzat e sotme ndaj Arta Dades, në prokurori e në gjykatë”, nënvizoi kreu i PS-së.
Mazhoranca
Mazhoranca e përshëndeti dje miratimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës për Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, deklaroi në fillimin e seancës plenare se apeli i deputetëve në Këshillin e Europës ishte qartë dhe se ata i kërkonin kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Parlament. “Këshilli i Europës në mbledhjen e tij i bëri apel opozitës që ta ndalë bojkotin dhe të hyjë në Parlament”, theksoi Topalli, pak minuta pasi në Asamblenë e Përgjithshme u votua rezoluta për Shqipërinë. Nga ana tjetër, Topalli theksoi se parlamentarët e KiE-s kishin miratuar edhe disa nga amendimet e rëndësishme që ishin kërkuar nga ana e delegacionit shqiptar të kryesuar nga deputeti i PD-së, Ilir Rusmali. “Eurodeputetët miratuan dy amendamente të rëndësishme të propozuara nga delegacioni shqiptar”, tha Kryeparlamentarja në fjalën e saj. Ministrja e Integrimit, njëkohësisht deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, deklaroi se rezoluta e miratuar shprehte të njëjtin qëndrim që prej muajsh po shpreh mazhoranca ndaj bojkotit të opozitës dhe komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara parlamentare. “Zgjedhjet u konsideruan si më të mirat, letra e tij me firmën e Dades ishte një lajthitje e Edit që tregon urrejtjen ndaj Europës. E bëri sepse i mbajtën ison për bojkotin”, deklaroi Bregu. Po kështu, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, theksoi se opozita duhet t’i dëgjojë mesazhet e KiE-s dhe duhet të bashkëpunojë me mazhorancën për të kryer reformat e rëndësishme, të cilat i duhen vendit. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Edi Paloka, i konsideroi si të dështuara tentativat që po bën kryetari i PS-së, Rama, për të ngadalësuar integrimin e vendit tonë.
#