Ambasadori britanik: Ligjet në Shqipëri vetëm bëhen, nuk zbatohen

Ky është “sulmi” më i ri i ndërkombëtarëve për autoritetet shqiptare, një ditë pasi Komisioni Evropian dhe OSBE deklaruan se nuk do të pranonin hyrje të shqiptarëve në zgjedhje, pa kartat e identitetit, që “duhet të ndahen shumë kohë para procesit elektoral”.
Vlerësimet dhe komentet mbi legjislacionin në Shqipëri, i bëri sot Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Fraser Uilson, gjatë një seminari në Tiranë për hipotekat.
“Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme në implementimin e legjislacionit të ri të ardhur si pasojë e aspiratave të saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Kalimi i një ligji në përputhje me legjislacionin evropian, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk është e njëjta gjë me implementimin e këtij ligji”, pohoi Uilson.
Ambasadori dha edhe shembuj konkretë të moszbatimit të ligjeve të hartuara dhe votuara. Ai përmendi ligjin për ndalimin e duhanit në vendet publike, i cili sikundër theksoi z.Uilson, “u miratua por nuk u zbatua”.
Pronat
Ambasadori Uilson, në seminarin e Zyrës të Regjistrimit të Pasurive te Paluajtshme (ZRPP), foli edhe për problemet e pronësisë në vend.
“Shqipëria duhet t’i zgjidhë problemet me pronësinë dhe të realizojë kthimin e trojeve për ish-pronarët, sepse dhe investitorët do të jenë të prirur të vijnë nëse këto kushte janë ezauruar”, ka evidentuar ambasadori Uilson.
Këtu ai qartësoi se investitorë të Britanisë së Madhe ngurojnë të shtrijnë investimet e tyre në Shqipëri për shkak se problemet e pronësisë mbeten ende të paqarta”.
Takimi
Forumi për Demokraci dhe Etikë, si dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive organizuan sot seminarin trajnues me punonjës të ZRPP-së.
Të ftuar ishin lektorë të brendshëm të ZRPP-së dhe pedagogë të njohur të Universitetit të Tiranës. Të pranishëm ishin dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë dhe Kryeregjistruesi i Republikës.
k.e/NOA