E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Qeveria, presion ndaj gjyqësorit

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS, Ylli Manjani, akuzoi dje qeverinë se vazhdon të ushtrojë presion ndaj gjyqësorit. “Qeverisë së Sali Berishës nuk i interesojnë qytetarët që kërkojnë drejtësi përditë në dyert e gjykatave, por ajo është thjesht e interesuar për të kontrolluar gjykatat për hesape krejt personale të qeveritarëve të korruptuar. Qeverisja e sotme nuk është e interesuar për të forcuar pavarësinë e gjykatave, përkundrazi ajo i do gjykatat për t’u hedhur fajin për dështimet dhe zullumet e veta, që ajo bën çdo ditë në kurriz të interesave legjitime të shqiptarëve. Qeverisë nuk i interesojnë ligje konsensuale (prandaj ka ikur nga tryeza e konsensusit), përkundrazi ajo thjesht prodhon makiazhe juridike për veprimet politike të saj për rrëmbimin e gjyqësorit dhe prokurorisë”, - tha Manjani. Sipas tij, pseudo-transparenca e sforcuar e kësaj mazhorancë në Komisionin e Ligjeve gjatë diskutimit të projektligjit për administratën gjyqësore, tregon qartë se kjo qeveri nuk e ka seriozisht reformën në drejtësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›