Zgjedhjet e 2009-s, PDS nis përgatitjet
Ashtu si dy partitë e mëdha, edhe Partia Demokracia Socialiste është përfshirë nga ethet zgjedhore. Sekretari politik i kësaj partie, Artur Duçkallari, bëri të ditur dje ambicien e kësaj partie që në Kuvendin e 2009-s, PDS të ketë grupin e saj parlamentar. “Duke synuar qartazi që në Kuvendin e ri të Shqipërisë PDS të ketë një grup të sajin parlamentar, edhe ne kemi nisur tashmë, riorganizimin dhe përshtatjen e të gjitha strukturave organizative të partisë në bazë qarqesh, në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, si një ndërmarrje shumë e rëndësishme organizative për t’iu përgjigjur sistemit të ri elektoral”, - tha Duçkallari. Ai bëri të ditur se brenda pak ditësh do të mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar për të marrë një sërë vendimesh të tjera politiko-organizative. “Beteja e ardhshme elektorale, pavarësisht mënyrës së organizimit të partive në koalicionet përkatëse, kërkon një vlerësim maksimal për të marrë çdo votë që i përket Partisë Demokracia Sociale”, - shtoi më tej sekretari politik.