Ambasadori britanik, thirrje Serbisë: “Hiqni dorë nga Kosova”
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Stephen Uordsuorth i ka bërë thirrje Serbisë të heqë dorë nga Kosova pasi kjo është një ide e gabuar që vetëm vështirëson bashkëpunimin dhe integrimin e Serbisë në BE. “Inisiativa e Beogradit për të kërkuar interpretimin ligjor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës është mashtrim i rrezikshëm pasi pavarësinë e Kosovës e kanë njohur shumica e vendeve të Unionit dhe shumica e vendeve në Këshillin e Sigurimit”. Tha ambasadori Uordsuorth për gazetën “Veçernje Novosti”. Përfaqësuesi i diplomacisë britanike në Serbi, Stefën Uordsuorth shtoi dhe se Bashkimi Europian nuk mund të kushtëzojë hyrjen e Serbisë në BE me njohjen e Kosovës. “BE-ja nuk mund t’i vërë kusht Serbisë. Deri atëherë kur disa shtete të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën nuk ndryshojnë pozicionin e tyre, BE-ja nuk mund të insistojë që Serbia të bëjë një gjë të tillë”,- ka thënë Uordsuorth për gazetën serbe.
Rexhepi: “Raporti i KB-së amniston veprimet e dhunshme të serbëve”
Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi në një intervistë për radion “Blue Sky” ka deklaruar se raporti i Kombeve të Bashkuara për ngjarjet e 17 marsit në gjykatat në Mitrovicë, i amniston veprimet e dhunshme të ekstremistëve serbë që shkaktuan vrasjen e një polici të UNMIK-ut. Rexhepi tha se raporti dukej se ishte i përpiluar nga administratori rajonal i UNMIK-ut në Mitrovicë, Gerard Galluci i cili kishte kundërshtuar operacionin e 17 marsit. “Mendoj se nuk është një raport real për arsye se KFOR-i dhe policia kanë qenë të detyruara të përdornin forcën, pasi u sulmuan me granata e me armë zjarri kështu që në raste të tilla s’u mbetej veçse të vepronin. Ky raport duket sikur është përpiluar Galluci”,- ka thënë ndër të tjera Rexhepi.
5 Gusht 2008