E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori brutal

Nuk janë vetëm shqiptarët, në drejtim të të cilëve shpesh bëhet me gisht si personat që shpesh kanë probleme me bashkëshortet, apo këto të fundit me burrat e tyre. Gjithashtu, shqiptarët nuk janë të vetmit që mund t’ia japin ndonjë flakaresh gruas së tyre.
Sado që njeriu mund të jetë i emancipuar, secili apo secila mund të ketë çaste dobësie. Këtë më së miri e vërteton Walter Maria Stojan, ambasador i Austrisë në Kosovë.

Aq keq e ka rrahur gruan e tij ambasadori austriak, saqë ajo është dashur të kërkojë ndihmën e mjekut. Madje, ajo këtë e ka bërë në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Irina Stojan Kariskowa, bashkëshortja e ambasadorit austriak, ka kërkuar ndihmën e mjekëve të Emergjencës, të mërkurën rreth mesditës.

Nuk dihet saktë nëse incidenti ndërmjet çiftit ka ndodhur në natën ndërmjet të martës dhe mërkurës, apo të mërkurën, në orët e paradites.

Por krejt çfarë dihet është se gruaja e ambasadorit e ka pësuar vërtet keq.
Së paku sipas raportit mjekësor.

Nga goditjet, disa mjekë, në kushte anonimati kanë treguar për Express se disa pjesë të trupit të gruas së ambasadorit kanë qenë të nxira.
Irina Stojan Kariskowa nuk ka bërë pak kontrolle. Përveç marrjes së infuzionit, ajo ka bërë thuajse të gjitha fotografimet e rënda e të lehta, gati për të gjitha pjesët e trupit.

Burime të Expressit sqarojnë se ajo ka qenë e shoqëruar nga dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe një përkthyes. Për më shumë se tri orë, Irina Stojan Kriskowa ka qëndruar në dhomat e reanimit të Qendrës Emergjente në Prishtinë.

Këtë rast të veçantë e konfirmojnë për Express edhe mjekët kujdestarë të Qendrës Emergjente në Klikën Universitare në Prishtinë.

Duke mos dashur ta cilësojë këtë rast si diçka të jashtëzakonshme, por vetëm si një pacient që ka kërkuar ndihmë mjekësore, Avdush Bajgora, mjek kujdestar, tregon për Express se bashkëshortja e ambasadorit të Austrisë në Kosovë, ka pasur në trup shenja të dhunës.

Sipas mjekut Bajgora, bashkëshortja e ambasadorit të Austrisë ka pasur shenja të shkaktuara nga goditjet në qafë dhe pjesë të tjera të trupit.

“Ajo ka ardhur në këtë qendër me lëndime të lehta trupore, ku janë vërejtur disa shenja në qafë, në pjesën e pasme, si dhe në pjesë të tjera të trupit, të shkaktuara si pasojë e goditjeve”, shpjegon mjeku Bajgora për Express.

Sipas tij, në fillim, pacientes Irina Stojan Kriskowa i është dhënë terapi për parandalimin e të vjellave, e më pas i është dhënë edhe një infuzion.

“Pas këtyre terapive, asaj i janë bërë edhe CT-të në qafë dhe kokë, për shkak se ajo deklaronte se kishte dhembje”, shpjegon mjeku Bajgora.

“Po ashtu, pacientes i është bërë edhe një incizim i thellë i CT-së”, tregon mjeku kujdestar. Vizita e bashkëshortes së ambasadorit të Austrisë në Kosovë është e regjistruar edhe në librin e pacientëve, e cila figuron se është e lindur në vitin 1974.

“Gjatë gjithë kohës sa ajo është kuruar, me të kanë qëndruar dy pjesëtare të Policisë së Kosovës dhe një përkthyese”, thotë mjeku Avdush Bajgora.

“Pas të gjitha fotografimeve dhe incizimeve, ajo është liruar për në shtëpi”, sqaron mjeku për Express.

Në raste të dhunës, zakonisht Policia e Kosovës është e obliguar që rastin ta regjistrojë. Por jo kësaj here, në raportin e zakonshëm zyrtar të sigurisë për njëzet e katër orët e ditës së martë, 20 korrik, i cili publikohet në ditën pasuese, ky rast nuk është askund. Zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të japin asnjë shpjegim në lidhje me këtë çështje, edhe pse dy pjesëtarë të saj e kanë shoqëruar gjatë tërë kohës gruan e ambasadorit austriak.

Megjithëkëtë, jozyrtarisht, Expressi ka kuptuar se rasti nuk është lejuar të regjistrohet me insistimin e vetë Irina Stojan Kriskowa, gruas së ambasadorit.

Gazeta ka kontaktuar edhe zyrtarë të Ambasadës së Austrisë në Prishtinë, të cilët megjithëse premtuan e do të japin qëndrimin e tyre zyrtar, ata këtë nuk e bënë. Sipas tyre, Ambasadori nuk ndodhet në Kosovë dhe deri në javen tjetër nuk mund të japin asnjë përgjigje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›