E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi ngre komisionin ad hoc për kartat e identiteti

13/03/2009  Përbërja, kryetar Rusmali, zëvendës i tij Islami

Kuvendi vendosi me unanimitet të ngrejë Komisionin e Posaçëm për monitorimin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, si dhe administrimin e procesit zgjedhor deri në datën e zgjedhjeve. Pas debateve mes palëve për mënyrën e kryesimit të këtij komisioni, ato kanë rënë dakord që ai të drejtohet nga Ilir Rusmali dhe Kastriot Islami në cilësinë e nënkryetarit. Ky komision do të ketë në përbërje të tij gjithsej nëntë anëtarë, siç janë deputetët: Fatos Hoxha (PD), Osman Metalla (PD), Fatmir Mediu (PR), Tritan Shehu (PDR), Fatmir Xhafa (PS), Blendi Klosi (PS) dhe Albert Divjaka (PSD). Miratimi i projektvendimit të Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni erdhi pas shqetësimeve të njëpasnjëshme të Partisë Socialiste lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Rasti më i fundit ishte ai i prezantuar nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS Arta Dade, e cila gjatë seancës së djeshme shprehu shqetësimin lidhur me përgatitjet për infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Javën e ardhshme do të jenë në Tiranë ekspertët e ODIHR-it për të verifikuar përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ngadalësimi i procesit dhe vonesat e qëllimshme në pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit, mangësitë në listat zgjedhore etj., vazhdojnë të mbeten problemore”, - u shpreh deputetja e PS-së Dade. Ajo tha se ky precedent i përsëritur, jo vetëm do të ishte fatal për ambiciet tona integruese, por edhe për të ardhmen tonë. “Nëse do të rrëzohemi në këtë provim të radhës, imazhi ynë do të jetë ai një vendi të drejtuar nga politikanë të pandreqshëm”, - përfundoi Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›