E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj-Majko, replika për të pushkatuarit pa gjyq

13/03/2009  Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politik, debat në Kuvend

Ndryshimet më të fundit të Ministrisë së Drejtësisë për të dëmshpërblyer edhe të pushkatuarit pa gjyq, ka shkaktuar replika mes deputetëve gjatë seancës së djeshme parlamentare. Dy përfaqësues të Kuvendit, Bujar Leskaj nga Partia Demokratike dhe Pandeli Majko nga Partia Socialiste kanë mbajtur të njëjtat pozicione lidhur me këtë projekt. “Është për të ardhur keq që ne e fillojmë fushatën zgjedhore 3 muaj para ditës së zgjedhjeve. Më vjen keq është për ish-kryeministrin Majko, i cili flet me gjuhën e Kristo Themelkos, kriminel në vitet ’44. E sugjeroj të lexojë edhe libra për nacionalizmin”, - tha Leskaj në fjalën e tij. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistit Majko, i cili sulmoi sërish deputetët e mazhorancës, të cilët sipas tij po dëmshpërblejnë kriminelët e luftës, kolaboracionistët e okupatorit. “Në fakt ky është një debat i vjetër mes meje dhe Bujarit dhe ato muret të majtë të djathë pas katër vjetësh edhe bien. Unë jam nip partizani ai është nip ballisti dhe mendoj që nga diskutimi më i fundit në Komisionin e Ligjeve, unë vij në një konkluzion shumë njerëzor: të vdekurit duhet t’i lëmë rehat atje ku janë. Ju i nderoni me atë mënyrën tuaj, na lini ne t’i nderojmë ne tanët, por mundësisht mos na i prekni”, - tha Majko. Lidhur me kundërshtinë e tij për projektligjin në fjalë, ai nënvizoi se do të thotë fjalën e tij, nëse parlamenti shqiptar vendos të dëmshpërblejë edhe kriminelët e luftës. “Në asnjë rast nuk do të hesht, nëse dikush ofron çmendurinë, që parlamenti ynë të bëhet parlamenti i vetëm në Evropë për të kompensuar krimet dhe kriminelët e luftës”, -tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›