E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama respekton statutin, tashmë vetëm kryetar “de fakto” i PS-së



Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se respekton dhe është i gatshëm të nisë zbatimin e nenit të statutit të Partisë Socialiste, i cili thotë se kryetarit i ndërpritet mandati në rast se partia nuk fiton zgjedhjet. Gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama ka zyrtarizuar vendimin për të ndërprerjen e mandatit. Tashmë Rama nuk mund të quhet kryetar “de jure” i Partisë Socialiste, por për të mos lejuar vakume deri në zhvillimin e Kongresit të PS-së ai do të jetë në një farë mënyre kryetari “de fakto” i kësaj partie. Lidhur me këtë vendim, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi tha se Partia Socialiste asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim zbatimin e statutit, madje për këtë ai vlerësoi edhe qëndrimin e Edi Ramës, i cili ka qenë iniciatori për zbatimin e kësaj pike. “Asnjëherë nuk e kemi vënë në diskutim zbatimin e statusit. Këtë e tregoi edhe Rama. Ishte Edi Rama, ai që u bë inisiator i propozimit për thirrjen e Kongresit për zbatimin e statutit. Të presim të zhvillohet Kongresi. Duroni dhe do të merreni këtë përgjigje, nga salla e Kongresit”, tha Ruçi, i cili shtoi se për të shmangur vakumet, Rama do të vijojë të jetë kryetar i PS-së deri në ditën kur do zhvillohet Kongresi. Ruçi foli gjithashtu edhe për mundësinë e rikandidimit të Ramës, ku theksoi se kjo është një e drejtë normale në Partinë Socialiste. “Kushdo në këtë vend është i lirë të zgjedh dhe të zgjidhet. Është një e drejtë themelorë e çdo qytetari, aq më shumë si një partie demokratike, si kjo e jona”, vijoi Ruçi. Ndërkohë pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë, anëtari i kryesisë së PS-së Ben Blushi tha se sipas statutit mandati i Ramës është ndërprerë dhe se Partia Socialiste shkon në Kongres për të zgjedhur kryetarin e ri. “Statuti ka hyrë në fuqi. Shkojmë në Kongres për të zgjedhur kryetarin e ri”, tha ai.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›