E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondet “gri” të fushatës, standardi që cenon rregullsinë e zgjedhjeve



Financimi që partitë kanë përdorur për të përballuar fushatat e tyre luksoze duket se do ti rëndojë liberalizimit të vizave të miliona shqiptarëve. Ndonëse nga ana e BE-së transparenca e financimit të fushatës ka qenë një kusht i pandryshueshëm edhe kësaj here çdo gjë është bërë në “terr” dhe transparenca është në nivelet më të ulëta. Ndonëse prej disa muajsh pranë KQZ-së është krijuar grupi i ekspertëve kontabël, puna e tyre për auditimin e fondeve dhe financimeve që përfituan partitë, nuk mund të nisë ende. Kjo pasi në Kodin Zgjedhor thuhet qartë se ekspertët kontabël do të nisin procesin e auditimit, brenda periudhës 45 ditore nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Duke qenë se tashmë Kolegji Zgjedhor ka fjalën e fundit për shpalljen e rezultatit, vetëm në përfundim të procesit të ankimimeve të partive, grupi i ekspertëve i ngritur pranë KQZ-së do të nisë nga puna e auditimit të fondeve dhe parave që u janë dhuruar partive politike për fushatën elektorale. Ndërkohë mësohet se një pjesë e partive kanë nisur të depozitojnë të dhënat dhe deklaratat për shumat që kanë përfituar në fushatën elektorale. Por këto masa të pritshme janë thuajse formale pasi KQZ-ja në thelb është një institucion politik dhe i kontrolluar edhe kësaj here nga partitë që kryejnë fushata më luksoze dhe që në çdo raport të OSBE-ODIHR-it kanë “njollosur” standarded e zgjedhjeve përsa i takon transparencës.
Financimet
Në shumë shtabe elektorale të partive financimet për shpenzimet operative janë bërë në rrugë informale dhe “nën dorë”, duke mos pasur asnjë lloj mundësie auditimi dhe verifikimi. Ky veprim i partive politike bëhet me qëllim shmangien e detyrimit ligjor që mban Kodi Zgjedhor, sipas të cilit asnjë parti nuk mund të shpenzojë më shumë se dhjetëfishi i shumës që ato përfitojnë nga buxheti i shtetit. Nisur nga ky fenomen mund të thuhet se edhe në përfundim të kësaj fushate elektorale, askush nuk do të jetë në gjendje që të nxjerrë një shifër të saktë të financimeve që kanë përfituar partitë dhe të shpenzimeve që ato kanë kryer në aktivitetin e tyre elektoral. Ky fenomen ka sjellë edhe shqetësimin e organizatave joqeveritare, të cilat kanë kërkuar nga partitë politike që të bëjnë transparente shumat që ato po harxhojnë për fushatat elektorale. Organizata “Transparency International”, me prezencën e saj në Shqipëri, ka kërkuar gjatë një deklarate për mediat që partitë politike të bëjnë publike burimet e financimit të fushatës elektorale. Gjatë prezantimit të një raporti paraprak mbi situatën e përgatitjes së zgjedhjeve në Shqipëri, një ndër përfaqësuesit e kësaj organizate ndërkombëtare në Shqipëri, Endri Shabani, ka bërë të ditur se ende mbeten anonimë financuesit e fushatave elektorale të partive politike në Shqipëri. Në këtë kuadër “TIA” ka kërkuar që bëhen publike jo vetëm faturat e shpenzimeve për çdo miting, por edhe burimet e financimit.
Kushtet
Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar shuma maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike e kanë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Por, gjithashtu, edhe shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kanë të drejtë të dhurojnë para për subjektet zgjedhore apo për kandidatët, sepse ata do të cilësohen persona fizikë vendas. “Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundër vlefta në sende ose shërbime”, - thuhet në Kodin e ri Zgjedhor. Në kapitullin e financimit të fushatave zgjedhore përcaktohen edhe kategoritë e personave që nuk do t’u lejohet të financojnë partitë politike apo kandidatët në fushatën elektorale. Sipas Nenit 89, ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij nëse ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në dy vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë; nëse ushtron aktivitet në fushën e medias, nëse ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme apo nëse ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›