E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman: “Ekonomia shqiptare delikate, qeveria kujdes nga kriza”



Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borshhard, e ka cilësuar si të pranishme krizën ekonomike në Shqipëri me gjithë pozicionimin e fortë të ekonomisë së saj në tregun e rajonit. Duke folur për investimet e huaja në Shqipëri gjatë ceremonisë së përurimit të një dege të re bankare në Tiranë, ambasadori gjerman e përmendi praninë e krizës ndërkombëtare edhe në vendin tonë, duke i tërhequr vëmendjen qeverisë për të marrë masa sa më të mira antikrizë me qëllim që të mbrojë investimet e huaja. “Ekonomia shqiptare ka ecuri pozitive, pavarësisht efekteve të krizës globale”, - tha ndër të tjera ambasadori Borshhard. Sipas diplomatit gjerman, “Shqipëria, me gjithë efektet e krizës financiare, ritmet e rritjes ekonomike që ka regjistruar i ka pasur të kënaqshme”. Më tej, ambasadori gjerman në Tiranë, në apelin e tij drejtuar qeverisë shqiptare ka bërë thirrje për përfundim të procesit të ndarjes së kartave deri në qershor, pasi, në të kundërt, Shqipëria rrezikon shumë. Borshhard tha se për Shqipërinë zgjedhjet përbëjnë një sfidë të madhe. “Këtu në Shqipëri, përgatitja e zgjedhjeve përbën një sfidë shumë të madhe. Ne shpresojmë që deri në qershor, që do të zhvillohen zgjedhjet, procesi i ndarjes së kartave të identitetit do të funksionojë siç duhet, pasi do të ishte një gjë shumë e keqe për Shqipërinë, por edhe për ne si anëtarë të NATO-s, nëse ky proces nuk shkon siç duhet dhe ka probleme”, - tha Borshhard. Diplomati gjerman mbështeti qëndrimin e komisionerit Europian për Zgjerimin, Olli Rehn, se Shqipëria nuk duhet të aplikojë si vend kandidat në Bashkimin Europian përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. “Vendet e Ballkanit nuk duhet të nxitohen për të aplikuar pasi Bashkimi Europian duhet të rregullojë më parë çështjet e brendshme të tij”, - tha ambasadori Borchard.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›