E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevoja për para, qeveria bëhet gati të marrë borxh nga BSH-ja 18.3 miliardë lekë



Ervin KOÇI

Bonot e thesarit kanë mbetur e vetmja shpresë e qeverisë shqiptare për të grumbulluar para kesh nga bankat dhe individët, për investimet parazgjedhore. Mungesa e theksuar e likuiditetit, por edhe mosdhënia e kredive tregtare të pritura nga bankat private për të cilat qeveria ka aplikuar, e kanë detyruar këtë të fundit që të përdorë fondet dhe mjetet e Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave, pritet të marrë 18.3 miliardë lekë borxh të martën e ardhshme më 31 mars, në një ankand për emetimin e bonove të thesarit që do të zhvillohet “jashtë axhendës” së paracaktuar nga vetë financat. Nga këto, 12.1 miliardë do të merren borxh direkt nga Banka e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër do të merret nga bankat e nivelit të dytë. Shuma e barabartë me 140 milionë euro përbën një nga më të lartat e tërhequra nga qeveria në një ankand të vetëm. Sipas axhendës 3-mujore të Ministrisë së Financave, më 31 mars nuk ishte programuar emërim bonosh thesari. Qeveria pati programuar të emetonte 26 miliardë lekë bono gjatë muajit mars 2009, shumë që është hedhur në ankand në katër javët e fundit. Qeveria po përballet me vështirësi në financimin e shpenzimeve buxhetore të programuara, si pasojë e rënies së të ardhurave fiskale dhe vonesave në pagesën e parave të disa privatizimeve të rëndësishme.

Dështimi i kredive

Plani për të emetuar 300 milionë euro borxh të jashtëm brenda janarit 2009 dështoi si pasojë e mungesës së ofertës nga bankat e huaja. Kërkesa e qeverisë për para u kthye në shqetësim për Bankën e Shqipërisë. Në një deklaratë të ashpër të publikuar të mërkurën, BSH-ja deklaroi se qeveria duhet të mos e tejkalojë programin e deficitit buxhetor, si një mënyrë për të shmangur rritjen e interesave në tregun e bonove të thesarit. Interesat për bonot 12-mujore në ankandin e fundit arritën në 9.17 për qind me mesatare të ponderuar. Hera e fundit kur bonot e thesarit kishin interesa të tilla ka qenë viti 2002. Qeveria paguan interesa për 350 miliardë lekë borxh të brendshëm, (rreth 3.5 miliardë euro). Rritja e interesit të bonove të thesarit me 100 pikë bazë nënkupton rritje të kostos së financimit të borxhit me 35 milionë dollarë në vit. Këtë vit, 36 miliardë lekë (277.2 milionë euro) do të shkojnë për të mbuluar interesat e borxheve me një rritje prej 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Por ky është vetëm një parashikim optimist në rast se interesat e bonove të thesarit vijojnë të mbeten në nivele të tilla. Vitin e kaluar, Shqipëria shpenzoi 2.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesa për borxhet, ndërsa këtë vit interesat do të mbulojnë 3.1 për qind të PBB-së.

Interesi i bonove

Bonot e thesarit shënuan një rekord të ri shumëvjeçar në ankandin më të fundit të zhvilluar nga BSH-ja, ku 5.1 miliardë lekë borxhe me afat maturimi 12-mujor iu dhanë qeverisë nga bankat e nivelit të dytë. Interesi mesatar i ponderuar për 18 ofertat e pranuara ishte 9.13 për qind. Në ankandin paraardhës të zhvilluar më 10 mars, interesi mesatar ishte 9.00 për qind. Një vit më parë, bonot 12-mujore i kushtonin qeverisë 8.04 për qind. Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor kanë qenë mbi 9 për qind për herë të fundit në vitin 2003, sipas të dhënave të BSH-së. Ato ranë në nivelin më të ulët në vitin 2005 në 6.91 për qind dhe pas këtij viti janë rritur gradualisht. Qeveria paguan interesa për 350 miliardë lekë borxh të brendshëm (rreth 3.5 miliardë euro). Rritja e interesit të bonove të thesarit me 100 pikë bazë nënkupton rritje të kostos së financimit të borxhit me 35 milionë dollarë në vit. Këtë vit, 36 miliardë lekë (277.2 milionë euro) do të shkojnë për të mbuluar interesat e borxheve me një rritje prej 14 përqindësh në krahasim me vitin e kaluar. Por ky është vetëm një parashikim optimist në rast se interesat e bonove të thesarit vijojnë të mbeten në nivele të tilla. Vitin e kaluar Shqipëria shpenzoi 2.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesa për borxhet, ndërsa këtë vit, interesat do të mbulojnë 3.1 për qind të PBB-së.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›