Pasojat e krizës, Bode: “Bankat të lëvrojnë kreditë”
Ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi dje lehtësira dhe ndërhyrje të institucioneve ndërkombëtare financiare për ekonominë shqiptare. Duke folur për krizën ekonomike në forumin “Crans Montana” në Tiranë, ministri Bode u shpreh se, për shkak të portofolave të kreditit, të nënshkruara me bankat në zhvillim, ndërhyrja e institucioneve të huaja në përshpejtimin e lëvrimit të kredive do të ishte mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe të gjithë vendet e rajonit. Ndërkaq, po në forumin “Crans Montana”, ndryshe nga deklaratat e ministrit Bode, duke folur për krizën ekonomike, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, u shpreh se Shqipëria do të mund t’u shmanget impakteve nga kriza ekonomike. Deklaratat e dy ministrave të qeverisë vijnë në një kohë kur kriza ekonomike botërore po frikëson vendet më të industrializuara dhe që ka shkaktuar deri sot humbjen e vendit të punës për 20 milionë persona në botë.
28 Mars 2009