Shqipëri–Luksemburg, bashkëpunim në sistemin bankar
Bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe bankare midis Luksemburgut dhe Shqipërisë ishte qëllimi i vizitës zyrtare që guvernatori i Bankës Qendrore të Luksemburgut, Yves Mersch, zhvilloi pranë Bankës së Shqipërisë, me ftesë të guvernatorit Ardian Fullani. BSH-ja tha se në fokus të kësaj vizite ishte diskutimi i zhvillimeve makroekonomike në ekonomitë e të dy vendeve si dhe ato ndërkombëtare. Guvernatori Fullani njohu homologun e tij me përpjekjet e BSH-së në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit dhe masave të marra në kuadër të krizës financiare globale, të cilat kanë pasur në qendër të tyre filozofinë e orientimit të sistemit bankar në zhvillimin e aktiviteteve të shëndosha financiare. Ndërsa guvernatori Mersch vlerësoi punën e bërë nga BSH-ja, e cila me politikat e saj të kujdesshme ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, duke krijuar kështu hapësirat e nevojshme për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Një vend të veçantë ka zënë edhe thellimi i bashkëpunimit institucional në të ardhmen në fushat e politikës monetare, operacioneve monetare, stabilitetit financiar dhe komunikimit me publikun. Në përfundim të takimit, guvernatori Mersch ka mbajtur edhe një leksion për stafin e BSH-së, me temë "Origjina e krizës dhe roli i bankave qendrore".
28 Mars 2009