E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka “KfW” financon 9.75 milionë euro për furnizimin me ujë të zonave rurale



Banka Gjermane “KfW”, me një kredi prej 9.75 milionë eurosh, do të financojë projektin "Programi rural i furnizimit me ujë të zonave rurale", që do të shtrihet në disa qarqe të vendit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zbatues i këtij projekti, bëri dje dhe fazën e parë të prezantimit, e cila konsiston në ndërtimin e rreth 40-50 ujësjellësve ruralë duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së 40-50 mijë banorëve në këto zona. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Financave, përfaqësues të lartë të “KfW”-së, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shoqatës se Komunave si edhe aktorë të tjerë të përfshirë në realizimin e këtij projekti. Projekti do të shtrihet në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër, të njohura si zona me nivel të lartë të varfërisë, me një nivel shume të ulët të cilësisë së jetës, si dhe me mungesa të theksuara në infrastrukturën publike dhe shërbimet qe lidhen me to. Vetëqëndrueshmëria e projekteve është risia qe sjell ky program dhe që shkon jo vetëm për forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor, veçanërisht mbi menaxhimin e ujësjellësve ruralë, por shton me tej kapacitetet dhe profilizimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si një agjenci ekzekutive në mbështetje të qeverisjes vendore.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›