E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori gjerman: Mos aplikoni në BE për statusin e kandidatit

 

Ambasadori gjerman Bernd Boshard i kërkon qeverisë shqiptare që të paraqesë kërkesën për kandidat në BE vetëm kur Evropa të lehtësohet nga kriza ekonomike. Në një intervistë në media, Boshard theksoi se qeveria gjermane nuk këshillon që të ndërmerret një veprim i tillë. “Kërkesa për në BE është një vendim sovran dhe i pavarur i qeverisë shqiptare. Qeveria federale nuk është duke sugjeruar për hapa të një procesi të tillë. Tashmë ndodhemi në qendër të një krize ekonomike dhe është vështirë t’i informosh qytetarët evropianë për hyrjen e anëtarëve të rinj. Pas kapërcimit të krizës, do të ishte momenti më i mirë. Tashmë tregjet financiare duket se po rimarrin veten”, deklaroi ambasadori gjerman. Ndërsa për çështjen e liberalizimit të vizave, ambasadori gjerman e cilëson si të rëndësishme çështjen e sigurisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë, siç janë edhe pasaportat. Sipas tij, liberalizimi i vizave do të mund të realizohet vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet. “Pasaportat e sigurta nga falsifikimi, është kushti paraprak për liberalizimin e vizave. Këto duhet të njihen nga shtetet e hapësirës Shengen. Procesi është në vijim e sipër dhe krahas saj vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një hartë të mënyrës se si do të procedohet për liberalizmin e vizave. Kushte të tjera janë lufta ndaj korrupsionit, sigurimi i kufijve, lufta ndaj trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike”, tha Boshard. Qeveria shqiptare ka planifikuar që të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat brenda presidencës çeke. Brenda këtij muaji parashikohet që kryeministri Sali Berisha të kryejë një vizitë në Pragë për të paraqitur zyrtarisht kërkesën për aplikimin e statusit të kandidatit në BE. Zyrtarë të Komisionit Evropian, Oli Rehn dhe Havier Solana, janë shprehur aktualisht kundër një veprimi të tillë, për shkak se Shqipëria ndodhet përpara sfidës kryesore, atë të zgjedhjeve parlamentare. Tirana zyrtare është këshilluar që të mos hedhë një hap të tillë, edhe pse nisma nuk mund të bllokohet nga ana e KE-së. Shkaku i kësaj kërkese lidhet dhe me krizën ekonomike që po përjeton Evropa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›