Bakalli lë Ngjelën për “Polin e Lirisë”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë për Ligj dhe Drejtësi është bërë pjesë e “Polit të Lirisë” duke marrë postin e zëdhënësit politik. Gjatë një konference për shtyp në selinë e PDK-së, Bakalli tha se “shpresoj që miku dhe bashkëpunëtori im, avokat Ngjela, përtej të gjitha rezervave të tij, ta kuptojë rëndësinë e veçantë që ka në këtë moment bashkëpunimi pa kushte i të gjithë eksponentëve të djathtë, përfaqësues të atyre shtresave të shoqërisë shqiptare, të cilat deri më sot, kryesisht nga partia Demokratike janë përdorur thjesht si etiketa për t’i shërbyer ardhjes dhe qëndrimit në pushtet të saj”. Nga ana e tij njëri prej krerëve të Polit, Dashamir Shehi tha se “Programi ynë do të jetë garanci për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, për pavarësinë e institucioneve kushtetuese, për një sistem drejtësie që jep drejtësi për qytetarët, e pandikuar politikisht”. Poli formalizoi dje gjithashtu Bordin e Orientimeve Strategjike.